Ushtruesja e detyrës së presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka bërë publike letrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, që i ka dërguar asaj me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Osmani, përmes një postimi në Facbook, tha se kjo letër rithekson raportet e fuqishme ndërmjet dy popujve.
“Sot kam pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ai rithekson raportet e forta ndërmjet dy popujve tanë, mbështetjen e vazhdueshme e të fuqishme të SHBA-ve si dhe nevojën që dialogu me Serbinë të përqëndrohet në njohjen e ndërsjellë”.
“Përjetësisht mirënjohëse për mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.
Në letrën e urimit, dërguar U.D. Presidentes Osmani, Presidenti Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën të cilën presidenti Biden i ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
residenti Biden thekson se lidhjet mes njerëzve të të dyja vendeve mbeten të fuqishme, bazuar në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.