Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është partnere e natyrshme e Ukrainës dhe se tani është koha që Ukraina të marrë “vendime të guximshme” për të themeluar raportet ndërshtetërore.
Në një organizim të ambasadave të huaja në vend për shënimin e 32-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, është përshëndetur përkrahja që Kosova i ka dhënë Ukrainës, qëkur Rusia nisi agresionin ushtarak në shkurt të vitit të kaluar.
Osmani ka deklaruar se Kosova ka qenë dhe do të mbetet “mbështetëse e fuqishme e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së Ukrainës, kundrejt një fqinji agresive e gjenocidal”.
“Përkrahja jonë është parimore dhe orientohet nga vlerat e rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë tonë sovran. Presim që Ukraina do të kthejë mbështetjen kah Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon. Lufta i ka afruar popujt tanë dhe tani është koha për vendime me kurajë për të themeluar edhe raportet tona”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se narracioni i Rusisë që merr për shembull rastin e Kosovës për të arsyetuar luftën në Ukrainë “duhet të refuzohet nga të gjithë dhe askush s’duhet të bije në këtë kurth të Putinit”
Osmani ka shtuar se mbështetja e Kosovës nuk ka qenë befasi dhe se sikur populli i Kosovës që dikur ishte viktimë, edhe populli ukrainas tash po përballet me krime të tmerrshme.
Ukraina vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përshëndetur mbështetjen e Kosovës kundër agresionit rus.
“Kjo mbështetje shkon përtej fjalëve. Ajo nuk është e dukshme vetëm me shfaqjen e flamujve të Ukrainës nëpër qytetet e Kosovës e në objektet tona, por e dhënë edhe si mbështetje nga Qeveria, bashkë me iniciativat tona”, ka thënë Rohde duke përshëndetur strehimin e gazetarëve ukrainas në Prishtinë.
“Ne të gjithë e duam paqen dhe vazhdojmë t’i bëjmë presion Putinit që ta ndalë këtë luftë. Ukraina do të jetë sovrane pa asnjë lloj kushtëzimi”, ka shtuar ambasadori gjerman.
Gazetarja e parë ukrainase që u strehua në Kosovë, Lyudmila Makey, në fjalimin e saj ka falënderuar Kosovën, ndërsa Prishtinën e ka cilësuar shtëpi të dytë.