Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, raporton Ekonomia Online.
Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian.
Osmani ka bërë të ditur se në këtë adresim do ta përçojë mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Parlamentit Evropian, për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe rrugëtimin evropian.
Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.
Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.