Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani ka pritur sot në vizitë pune Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Bujar Leskaj me bashkëpunëtorë.
Osmani i ka njoftuar zyrtarët nga Shqipëria lidhur me aktivitetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, menaxhimit të mirë dhe kontrollit në shpenzimin e parasë publike.
Ai po ashtu, ka njoftuar mysafirët për partneritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin dhe Qeverinë si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat me qëllim të rritjes së llogaridhënies në administratën publike të Kosovës.
Ai shtoi se është i interesuar që këtë partneritet ta ngris në një nivel edhe më të lartë, përfshirë edhe institucionet akademike në mënyrë që puna e auditorëve të jetë sa më profesionale.
Osmani ka shprehur zotimin e tij institucional për të thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit, përmes zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e auditimit dhe implementimit të programeve për zhvillimin e vazhdueshëm profesional.
Ai ka falënderuar drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë për përkrahjen e vazhdueshme për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe ka shprehur bindjen që një përkrahje e tillë nuk do të mungojë edhe për anëtarësimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka shprehur dëshirën dhe gatishmërinë e tij për mundësitë reale të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për të ndihmuar Qeverinë dhe organizatat e audituara në menaxhimin e mirë të parasë publike.
Krerët e të dyja institucioneve u pajtuan se jo vetëm auditivi, por edhe ofrimi i këshillave për organizatat e audituara është një mekanizëm i rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në adresimin e rekomandimeve që dalin nga Institucionet Supreme të Auditimit.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që të hartohet një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave reciproke.