Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani vizitoi sot shkollën “Emin Duraku” në Prizren, për t’u njohur me procesin e regjistrimit të materialeve mësimore për nxënësit e Kosovës, të cilët mësimin e ndjekin në gjuhën turke dhe atë boshnjake. E shoqëruar nga zëvendësministrat e Arsimit, Xhavit Rexhaj e Enis Kervan, kryetari i Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, deputeti Haxhi Avdyli etj., ajo e përcolli nga afër këtë proces.
Kryetarja Osmani falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe drejtoritë komunale të Arsimit për punën e jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe. Në veçanti shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin e mësuesve dhe arsimtarëve në organizimin e mësimit.
Znj. Osmani theksoi se ofrimi i mësimit për të gjithë, përfshirë edhe gjuhët e komuniteteve është shumë i rëndësishëm dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve tona për të krijuar shoqëri demokratike, që i respekton të drejtat e secilit qytetar. Ajo u shpreh e lumtur që pjesëmarrja e nxënësve në komunën e Prizrenit është e lartë, përfshirë edhe nxënësit e komuniteteve joshumicë.
“Ne duhet të kujdesemi që secili nxënës të ketë qasje në mësimin online”, tha ajo.
Po ashtu, kryetarja Osmani vizitoi edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, për t’i falënderuar edhe një herë punëtorët shëndetësorë për punën e pakursyer në luftimin e pandemisë. Aty znj. Osmani u takua me punëtorët e kësaj qendre mjekësore dhe udhëheqësit komunalë të shëndetësisë.
“Kujdesi ndaj jetës së qytetarëve është jetik, kurse investimi në shëndetësi është investim në shtetin e Kosovës”, tha znj. Osmani.