Osmani: Qendra e Ekselencës, kulminacion i punës së grave në Kosovë

Prishtinë | 17 Sht 2024 | 15:51 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani gjatë ceremonisë së funksionalizimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se kjo ngjarje shënon kulminacionin për punën e grave të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Qendra e Ekselencës u funksionalizua sot si rezultat i memorandumit të nënshkruar nga presidentja Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Për këtë, e para e shtetit ka thënë se kjo qendër dikur do të shndërrohet në sinonim të angazhimit të koordinuar në dobi të avancimit të kësaj agjende.

“Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të shërbejë si një ombrellë për punën e të gjithë akterëve në rajon e përtej. Këtë qendër s’e shoh thjesht si një entitet shtesë, por si kulminacion të punës së grave të Kosovës ndër dekada, të cilat i kanë dëshmuar botës se nuk ka forcë që mund ta mposhtë shpirtin e tyre luftarake dhe etjen për drejtësi, barazi dhe dinjitet. Është puna e grave dhe heroinave tona ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre i pashoq, që ka shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference për sa i përket fuqizimit të rolit të grave në paqe dhe siguri”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka thënë se themelimi i kësaj qendre shpreh përkushtimin për t’u siguruar që gratë janë në çdo proces të paqes e të sigurisë.

“Kjo qendër do të shërbejë si vendtakim për bashkëpunim, një vend ku shoqëria civile, qeveria, bota akademike dhe partnerët ndërkombëtare mund të bëhen bashkë për të krijuar strategji e përparim të qëndrueshëm. Kjo qasje përfshirëse është thelbësore për të arritur pjesëmarrje domethënëse në proceset vendimarrëse politike dhe duke adresuar çështjet e dhunës në baza gjinore dhe duke siguruar qasje të barabartë në rimëkëmbje dhe ndihmë”, ka thënë Hovenier.

Të ngjashme