Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar në debatin “Fol hapur”, me temën “Shteti funksional sipas Vjosa Osmanit”, raporton Ekonomia Online.
Osmani tha se në mbledhjen e parë të Qeverisë do të rekomandoj që të shkarkohen të gjitha bordet që kanë performancë negative.
Ajo tutje ka shtuar se funksionimi i shtetit ndërlidhet drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve.
“Shteti është funksional nëse dita e një qytetari dhe viti është në radhë të parë i përballueshëm në aspektin e mbrojtjes që i bëhet të drejtave të tyre dhe aspektin financiar, në aspekt të lëvizjes së lirë e komunikimin që e ka me jashtë dhe mënyra se si të drejtat ua garantojmë në letër secili qytetar mund t’i mbrojë në sistemin e drejtësisë”, tha Osmani, raporton EO.
Sipas saj me zvogëlim të ministrive nuk do të largohen të punësuarit nga puna, por do të bashkohen.
“Riorganizimi i Qeverisë nuk nënkupton vetëm reduktimin e ministrive, kemi planifikuar qeveria të përbëhet nga 12 ministri, nuk nënkupton që punëtorët e sektorit publik të largohen, por do të ketë bashkim të ministrive që të kemi funksionalitet dhe të kontribuohet drejtpërdrejt në qeverinë e ardhshme”.
“Për mua do jetë prioritet bordet të përbehen nga njerëz që kriter të parë e kanë profesionalizimin dhe përfaqësimin e drejtë sepse politizimi i skajshëm e shkatërron bashkëpunimin e partneritetin që kemi me shoqëri civile, me ambasada dhe shtetet tjera, tregon imazh të keq dhe ndikon drejtpërdrejtë në humbjen e besimit”.
“Planifikojmë të kemi plan nacional të kursimeve financiare sepse skemat janë duke shkaktuar humbje milionëshe, ne brenda plani nacional për kursime të qeverisë duhet të rishikojmë skemat që janë shndërruar në skema korruptive”.
Osmani tha se nuk mund të ketë shtet nëse 80% i buxhetit shkon nëpër autostrada dhe në arsim e shëndetësi nuk ka investim të mjaftueshëm.
“Ne duhet t’i kthejmë investimet në kapital njerëzor, jo kapital asfalt. Situata në shëndetësi duhet konsiderohet emergjencë kombëtare dhe kur konsiderohet si e tillë duhet të vonohen pak që investimi të shkoj tek njerëzit tanë”.
Osmani tha se Qeveria që ajo do të udhëheqë nuk do të kenë të rinjtë librezë partiake si parakusht për të hyrë në punë, gjë që sipas saj është duke ndodhur.
“Meritokracia duhet të jetë vlera kryesore që ne do ta kultivojmë gjatë qeverisjes se ardhshme”, tha ajo.
“Ne nuk synojmë të qeverisim në këtë shtet duke vendosur kontroll mbi institucionet e sigurisë dhe drejtësisë është e pakontestueshme se si sot ka liderë që vendosin se kë ta bëjnë kryeprokuror është logjika e Prontos, nuk ka të drejtë kryeministri të vendos se kë të bëj kryeprokuror dhe as nuk duhet të përzihet”.
“Ne nesër nuk do bashkëqeverisim me parti te tilla, ç’kapja arrihet nëse bashkëqeverisim me parti që e kanë seriozisht këtë që po e them, Qeveria e LDK-së nuk vendos se kush të jetë kryeprokuror, prokurorët e vendosin këtë”.
“Kemi nevojë të kemi bashkëpunime fikas me shtete model që të bëjmë dekriminalizim të institucioneve është kancer në shoqërinë tonë lidhja e krimit në nivelit të lartë me institucionet qeverisëse dhe kjo që të ndryshoj shembullin duhet të jetë nga kryeministrja e vendit”.
Osmani ka përmendur vendimet e para që do të merrte në rast se vjen në krye të Qeverisë.
“Në mbledhjen e parë të qeverisë do propozoj të shkaktohen gjitha bordet që kanë performancë negative nga auditori i përgjithshëm, do të propozoj masa konkrete të rishqyrtimit të projekteve të caktuara që investimi të shkoj në shëndetësi dhe programi i veçantë për rini. Sfidë do jetë që t’i bindi partnerët partiak që mos t’i shikojnë institucionet e drejtësisë si sistem ku mundesh të ndërhysh. Nëse ndonjë ministër apo vartës i tij i bën presion ndonjë gjyqtari e prokurori nuk do ta kenë më vendin në atë qeveri”, tha Osmani, raporton EO.