Pas tentimit për ta sulmuar gazetarin, Berat Buzhala, dy militantë të Vetëvendosjes, ka reaguar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se liria e medias dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të garantuara edhe me Kushtetutë.
Osmani ka shkruar se tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe.
Ajo gjithashtu ka ftuar policinë që të merret me rastin.
“Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe. Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin”. ka shkruar Osmani në Facebook.
Postimi i plotë:
E drejta e lirisë së shprehjes dhe liria e medias janë të drejta themelore të garantuara edhe me Kushtetutë. Çfarëdo cenimi ndaj punës së mediave, respektivisht gazetarëve, është cenim ndaj demokracisë si vlerë sublime.
Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe. Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin.
Gazetarët duhet ta gëzojnë fjalën e lirë, konform standardeve profesionale dhe ligjeve në fuqi. Ata këto ditë janë heronj gati po aq sa mjekët, infermierët, policët dhe shërbyesit e tjerë emergjentë që janë mobilizuar kundër pandemisë Covid-19. Prandaj duhet t’i përkrahim që të gjithë.