Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka hapur punimet e seancës së Kuvendit duke tërhequr vërejtjen për të gjithë të pranishmit që të respektojnë masat mbrojtëse të IKShPK-së.
Osmani tha se të gjithë deputetët, administrata dhe kabineti qeveritar të mbajnë distancë prej dy metrave, maskën dhe të flasin nga ulësja, kushdo që shkel rregullat nuk do të lejohet të qëndrojë në sallë.
“Dua t’ua tërheq vëmendjen lidhur me rëndësinë e masave nga pandemia COVId-19. Duke u bazuar në manualin e ministrisë”.
“Gjatë seancës janë të obliguar gjithë deputet e gjithë administratat dhe të gjithë anëtarët e kabinetit në mënyrë strikte, distanca fizike prej dy metra dhe përdorimi i maskave nga secili. Kushdo që i shkel rregullat nuk lejohet qëndrimi në seancë”.
“Kërkohet të mbahet higjiena. Rekomandohet të diskutohet nga ulësja që të kemi sa më pak njerëz që e përdorin foltoren kryesore. Duhet të dezinfektohet vazhdimisht foltorja. Do të kemi pauza për t’u ajrosur salla plenare. Gjithë ata që kanë simptoma (kollë, probleme me frymëmarrje) të qëndrojnë në shtëpi”.
“Nëse keni qenë rast kontakti vetëizoloheni për 14 ditë e të mos keni kontakt. Rregullat e rekomandimet tjera i gjeni edhe në dokumentet tjera të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë si manuali por edhe në vendimet e marra së fundi, që kërkoi Ministria e Shëndetësisë a Qeveria t’ia dërgojë Kuvendit me shkrim”.