Deputetja Vjosa Osmani-Sadriu nga LDK-ja ka thënë se Rezoluta për Gjenocidin duhet të përmirësohet pasi sipas saj ajo do jetë vetëm “llaf” për të cilin qytetarët nuk do të kenë nevojë, duke shtuar se kjo është edhe më e dobët se Platforma për Dialogun, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka kritikuar institucionet për Platformën e Dialogut, në të cilën sipas saj nuk përmendet gjenocidi serb.
“Rezoluta është dokument më i dobët se sa Platforma që e keni miratuar ku nuk përmendet as gjenocidi e as krimi përkundër propozimeve. Rezoluta që e miratojmë sot do jetë vetëm llaf e llafe qytetarët kanë pasur mjaft. Nuk mund të miratojmë dokument tjetër këtu e në Bruksel tjetër, platformë që nuk e përmend as krimin e as gjenocidin. Ne mund të themi sa të duam se është vonë megjithatë përtej diskutimit duhet të sigurohemi që ky kuvend sot të dalë me rekomandime konkrete”, ka thënë Osmani-Sadriu.
Tutje, Osmani tha se në këtë Rezolutë duhet të përfshihet edhe teksti i cili amandamenton dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Ajo duhet ta ketë një fjali në të që pjesëtarë të regjimit serb janë akoma në pushtet në Serbi”.
“…E para, para përafërsisht një muaji ose dy është miratuar Platforma për Dialogun dhe ndër të tjera kjo platformë thotë se ky është qëndrimi i vetëm i Republikës se Kosovës. Meqenëse qëndrimi i vetëm i Kosovës qenka vetëm ky në platformë, unë kam tentuar në Komisionin për punë të Jashtme që kjo platformë ta thotë të vërtetën për krimet e kryera në Kosovë”, tha ajo, raporton EO.
Sipas saj, në të duhet të përfshihet edhe pjesa e gjenocidit serb në Kosovë.
“ Fatkeqësisht kjo platformë thotë se në Kosovë janë kryer vetëm krime lufte, pra në këtë platformë duhet të përfshihet edhe gjenocidi serb i kryer në Kosovë dhe krimet kundër njerëzimit”.