Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Paqes, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se do të jenë mirënjohës NATO-s që ndaluan shfarosjen dhe dëbimin që ishte bërë projekt i Slobodan Millosheviqit.
Ajo tha se sot kujtojnë edhe heronjtë kombëtarë që lirinë e vendit e patën ideal kryesor.
“Ndjehem e nderuar që mund të ju drejtohem sot nga foltorja e demokracisë dhe tua përcjellë urimet më të mira me rastin e 12 qershorit Ditës së Lirisë. Pjesëtarët e NATO-s nuk janë me ne në sallë por festojnë me ne në sallë që ne të ndihemi të lirë. Si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra e brezave të tërë që jo vetëm ëndërruan lirinë, por atë luftuan për të”.
“Atë ditë në Kosovë zbarkuan trupat e NATOS dhe pas 78 ditë bombardime shpresa ngadhënjeu dhe Kosova e pa dritën e lirisë dhe qytetarët morën frymë. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë. Rrugëtimi jonë nuk do të mbylljet kurrë pa përkushtimin e miqve tanë. Ne do tu jemi mirënjohës për rreshtimin e tyre në krahë qytetarëve të Kosovës ku shfarosja e dëbimi ishin bërë projekt hegjemonist që po kujdesej ta realizonte regjimi i Millosheviqit”.
“Sot i kujtojmë me nderimet më të larta heronjtë tanë që lirinë e vendit e patën ideal kryesor. E kujtojmë familjen Jashari që dha gjithçka për Kosovën dhe dëshmorët e heronjtë e këtij vendi. I kujtojmë me dhimbje 1600 të pagjeturit tanë”, tha Osmani.
Osmani tha se duhet të jemi unik në paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e vendit tonë, raporton EO.
“Kosova ka numrin më të madh të vrarë të fëmijëve krahasuar me numrin e banorëve dhe duhet ta kthejmë vëmendjen te këta 1 133 fëmijë”.
“Në këtë ditë të lirisë kemi vetëm një mesazh siç ishim unik dikur për lirinë sot duhet të jemi unik në paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e vendit tonë. Njërën nga ulëset në qendrën e sallës ta mbajnë si dedikim të fëmijëve të pafajshëm”, tha Osmani.