Osmani: Rugova në themelet e shtetit, përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi

Prishtinë | 21 Jan 2024 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, djali i Presidentit Rugova Ukë Rugova, zëvendëskryeministret Donika Gërvalla, Emilija Rexhepi si dhe kryetarë të komunave.

Presidentja Osmani, në fillim të fjalimit përkujtues për presidentin historik, citoi vargun e famshëm të poetit Ali Podrimja: “Unë biri yt, Kosovë”.

“Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”, ka thënë presidentja Osmani.

Sipas saj, asgjë më mirë nuk mund ta tipizonte Presidentin Rugova më mirë e më thellë sesa shprehja “Unë biri yt, Kosovë”, e cila e lidhë me vendin, me popullin, me vlerat e trashëgimisë, si dhe me përkushtimin për ta krijuar shtetin e ruajtur lidhjen me aleancën euroatlantike.

“Ai qe vërtet biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj”.

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë.

“Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme. Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, ka pohuar Presidentja.

Sipas Osmanit, Presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, atë human.

“Në personalitetin e Dr. Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj. Sa më shumë e ka njohur historinë e popullit të tij, ai e ka njohur dhe kultivuar edhe filozofinë e popullit të tij. Sa më shumë e ka kultivuar ndjenjën e refuzimit si koncept filozofik, aq më shumë e ka njohur e kultivuar sjelljen e urtë e të matur, por jashtëzakonisht të vendosur; sprovat për të kanë qenë provë qëndrueshmërie, sa më shumë është sprovuar në jetë, në politikë e në letra, është bërë aq më i durueshëm, e më këmbëngulës. Ai fliste shkurt, por fjalët i kumbonin shumë. Jehona e tyre u ndie larg, dhe atë jo vetëm në Kosovë. Ai e rizgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri dhe bashkoi një popull të tërë rreth kësaj kauze. Mbase poezia “Unë biri yt, Kosovë”, poezia që na kujton se dashuria për atdheun është e pafund, mund të mbante sot edhe një titull tjetër: Ne bijtë e bijat e tu, Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë”, ka thënë Presidentja.

Ajo, më tej ka thënë Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi.

“Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”, ka shtuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, për Presidentin Rugova miqësia e besimi ishin vlerë. Prandaj, i kultivonte fort miqësitë e i forconte ato. Njohu respektin e personaliteteve më të mëdha botërore, sepse dinte ta shprehte mirënjohjen ndaj miqve dhe të punonte ngushtë me ta. Këto miqësi, ishin aty kur ju deshtën më së shumti popullit të Kosovës. Amerika qe busulla orientuese për veprimin e tij politik e për ndërtimin e jetës demokratike, modeli i vyer dhe udhërrëfyesja e tij për Kosovën e lirë.

“Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij. Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit por pritën me orë të tëra, për ta përcjellur prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ndër të tjera Osmani.

Të ngjashme