Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të ndërpritet dialogu me Serbinë pas zhvillimeve të fundit në vend.
Osmani në një intervistë për DW, ka vlerësuar se nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë, në kohën kur krerë të shtetit e partive po akuzohen nga Gjykata Speciale, për krime lufte.
“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, ka thënë Osmani.
Ajo madje ka thënë se do të japë kontributin e saj që të diskutojnë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës në lidhje me dialogun.
Ndërprerje të dialogut ka kërkuar edhe AAK-ja në ditën kur u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.