Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit.
Duke e falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunimin, Osmani nënvizoi se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.
“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë COVID-19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.
Ndërkaq, ambasadori Minxhozi, pasi e uroi Osmanin zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.
“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, ka thënë Minxhozi.