Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka diskutuar raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë, i cili përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.
Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj, ka folur për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Ajo përkujtoi vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.
Ajo tha se rreshteri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.
“Më 24 shtator, qytetarët e Kosovës u zgjuan me lajmin për vrasjen e një rreshteri të Republikës nga një akt i agresionit nga Serbia dhe grupet paramilitare. Dua të falënderoj heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, që e humbi jetën duke e mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”.
“Pushoftë në paqe. Kjo duhet të na shërbejë të gjithëve si kujtim që u ngritë kundër forcave autoritare jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në gjithë botën”.
Osmani theksoi se ky ishte agresion i përkrahur dhe financuar nga Serbia. “Këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia”.
Në vazhdim, presidentja e Kosovës tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, tha ajo.
Osmani shprehu edhe një herë përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Fjalimin në KS të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e filloi duke përmendur viktimat dhe mijëra gra të dhunuara gjatë luftës.
Viktimat e dhunës seksuale, sipas saj, zgjodhën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përpiqen të jetojnë. “Kjo është edhe historia e Kosovës”.
Ajo iu drejtuar KS të OKB-së si një presidente e një vendi që ka humbur 13000 njerëz gjatë luftës në Kosovë, shumë të zhdukur dhe me vrasjen e fëmijëve që, në kokë banori, është më së shumti në çdo luftë në ish-Jugosllavi.
“Ne jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën tonë, për ta ndërtuar një të ardhme ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etninë e tyre, mund të jetojnë pa frikë, pa diskriminim”.
Presidentja më tej shprehu zotimin e shteti të Kosovës për të ecur përpara e jo për të shkuar prapa.
“Jam këtu për të rikonfirmuar se të gjitha institucionet e Kosovës nuk e lejojnë ecjen prapa për lirinë e mundimshme që kemi fituar bashkë me demokracitë nga mbarë bota, sepse Republika e pavarur e sovrane e Kosovës është storja më e suksesshme në historinë e njerëzimit”, deklaroi presidentja Osmani.
Në fjalimin e saj, Osmani foli edhe për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët po përballen mes tjerash me fshirjen e adresave të banimit.
Ziadeh: Të dokumentohet ngjarja në Banjskë dhe të mbahen përgjegjës autorët – Dialogu e vetmja rrugë përpara
Shefja e Misionit te Kombeve të Bashkuara në Kosovë Caroline Ziadeh, në fjalën e saj, theksoi nevojën urgjente për veprime të bashkërenduara dhe kompromis për të trajtuar mjedisin e përkeqësuar të sigurisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Duke folur për sfidat e sigurisë, Ziadeh theksoi rëndësinë kritike të angazhimit konstruktiv dhe masave de-përshkallëzuese.
Ajo përsëriti dënimin e UNMIK-ut për incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi në afërsi të fshatit Banjska/Banjskë të Komunës së Zvečan/Zveçanit në Kosovën veriore më 24 shtator dhe humbjen tragjike të jetës, duke bërë thirrje për përmbajtje. “Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës,” shtoi PSSP Ziadeh.
Duke vënë në dukje se takimi i nivelit të lartë më 14 shtator në Bruksel nuk prodhoi konsensus, kreu i UNMIK-ut tha: “Kjo ishte një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatimin e angazhimeve përkatëse të palëve sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.
Ajo shprehu shpresën se rezultati i takimeve të udhëhequra nga BE-SHBA të mbajtura veçmas në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor do ta rikthejë dialogun në rrugën përpara, me angazhim të vendosur nga të dyja palët për të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues dhe për të vepruar sipas propozimeve të paraqitura gjatë takimeve.
“Ngërçi aktual politik, me ndikimin e tij në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës, mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit që duhet të arrihet në Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës,” vuri në dukje PSSP Ziadeh.
Duke theksuar ndërlidhjet vitale në mes paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, PSSP Ziadeh nënvizoi edhe rëndësinë e iniciativave për bashkëpunimit dhe integrim rajonal për dialog më produktiv.
PSSP Ziadeh theksoi nevojën për komunikim të qartë me publikun për çështjet që prekin jetesën e tyre dhe të drejtat e njeriut, duke kërkuar që puna e institucioneve të sundimit të ligjit të “ankorohet fort në kornizën e të drejtave të njeriut”.
Ajo përshëndeti zhvillimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e një ligji që rregullon procesin e aplikimit për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Konventën e të Drejtave të Njeriut për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Duke reflektuar mbi 5 vjetorin e zbatimit të agjendës së UNMIK-ut për ndërtim të mirëbesimit, PSSP Ziadeh riafirmoi përkushtimin e palëkundur të UNMIK-ut për të nxitur komunikim dhe mirëkuptim në mes të njerëzve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Të bësh këtë ushqen terrenin për pranimin e kompromiseve të vështira por thelbësore të nevojshme për të arritur përparim në dialogun në nivel lidershipi,” tha kreu i UNMIK-ut.
Ajo lavdëroi qëndrueshmërinë e akterëve vendorë, përfshirë partnerët e UNMIK-ut, në përpjekjet e tyre të palodhura për të promovuar besimin dhe dialogun, duke theksuar, “Ne do të vazhdojmë punën tonë për ndërtimin e mirëbesimit, edhe pse shpesh dëgjojmë se ‘besimi është në nivelin më të ulët’ në këtë moment. Por nëse jo tani, atëherë kur?”
Në përfundim, PSSP Ziadeh përsëriti mbështetjen e UNMIK-ut për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi imperativin për dialog gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.
“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.
Pas Ziadeh, fjalën në mbledhjen që po mbahet në New York e ka marrë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka folur “për gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë e Metohi”.
Sipas saj, shumë serbë po përballen me arrestime e ndjekje.
Bërnabiq vlerësoi se situata në Kosovë është rënduar sidomos në dy vjetët e fundit.
“Situata është bërë aq e rëndë sa duhet bërë përpjekje për ta kuptuar jo vetëm si politikanë, por si qenie njerëzore”.
Ajo kërkoi që nga kjo mbledhje “së paku t’iu sigurohet një grimë shprese atyre që jetojnë në Kosovë. “Së paku një grimë shprese që stabiliteti e paqja afatgjate janë në fakt të mundshme”.