Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.
Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar se veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie.
Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës.
Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar z. Sarrazin dhe z. Einger për angazhimin e Gjermanisë dhe Austrisë për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka theksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë do të vazhdojë.