Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje sërish shefave të grupeve parlamentare që të arrijnë konsenzusin, të cilat janë duke i bllokuar nismat legjislative për pandeminë.
Thirrja e saj ka ardhur gjatë një takimi konsultativ të kryekuvendares me shefat e grupeve parlamentare.
“Megjithatë, përkundër insistimit nga ana e Kryetares së Kuvendit, aktualisht nuk është arritur konsensus ndërmjet subjekteve politike”, shkruhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Qëllim i këtij takimi ka qenë diskutimi për nismën legjislative e kryetares së Kuvendit për krijimin e hapësirës së domosdoshme ligjore me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID – 19, si dhe për dy nismat e parlamentare të PDK-së lidhur me masat ekonomike pas pandemisë, transmeton KOHA.
Kjo iniciativë e Kryetares së Kuvendit u riaktualizua pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastit KO61/20, përmes së cilit ia rikujton Kuvendit detyrimin “qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcaktojë mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-1”.