Osmani takon Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë, u flet për pengesat e Serbisë në dialog

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri- Kosovë, të kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandl dhe në përbërje të të cilit ishin edhe zyrtarë të lartë austriak dhe afaristë.

Në takim me delegacion austriak, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë.  

“Presidentja Osmani është angazhuar për një partneritet më të fuqishëm me Austrinë, të cilën e ka konsideruar një aleate dhe mbështetëse në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. U diskutua edhe për procesin e dialogut me Serbinë, teksa Presidentja Osmani potencoi obstruksionet e Serbisë në procesin e dialogut, duke e penguar dialogun dhe duke u përpjekur që nëpërmjet përdorimit të bandave kriminale në veri ta destabilizojë jo vetëm Kosovën. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar  për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët” thuhej në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Presidentja Osmani shtoi Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga partnerët për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, sepse avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjellë më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Më tej, në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ndaj në këtë kontekst Presidentja Osmani përmendi potencialin ekonomik që ka Kosova, sikurse edhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj” thuhej në njoftim.

Politika e jashtme, arsimi, shëndetësia dhe shkëmbimi tregtar u përmendën në kontekst të thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me Austrinë.

Të ngjashme