Osmani takon kryetarin e Kuvendit të Bullgarisë, ia kërkon përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Prishtinë | 30 Nën 2022 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani u është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë, Vezhdi Rashidov, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen ndaj Kosovës, duke kërkuar që ajo të vazhdojë edhe më tej me këtë përkrahje për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Siç thuhet në njoftimin nga Presidenca, Osmani gjithashtu ka kërkuar mbështetjen bullgare për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Presidentja ka theksuar se është i rëndësishëm bashkëpunimi në sferën e diplomacisë parlamentare dhe ai ndërparlamentar.

“Një pjesë e takimit iu kushtua situatës aktuale në Kosovë e më gjerë. Presidentja Osmani ka theksuar se është e rëndësishme që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë ka ritheksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces, kundrejt Serbisë, e cila duke përdorur strukturat ilegale në veri po përpiqet ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftim.

“Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se e vlerëson harmonizimin e plotë të Bullgarisë me qëndrimet e NATO-së dhe BE-së për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e mbështetjes ushtarake. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dënuar pa mëdyshje sulmin e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është në linjë me BE-në dhe SHBA-në sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë”, thuhet në fund.

Të ngjashme