Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) Kosovë, së bashku me Zyrën e Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDCO), kanë organizuar “Vija që Pikturon Rinia”, ekspozitën e pikturave dhe ndarjen e çmimeve, raporton Ekonomia Online.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi ekspozitën si një hap të rëndësishëm sensibilizues. Ajo tha se të rinjtë e Kosovës po e vizatojnë qartë “vijën e kuqe” kundër dhunës dhe padrejtësisë.
Osmani nënvizoi se nuk ka progres pa barazi dhe nuk ka drejtësi pa llogaridhënie.
“Kjo konferencë vjen nga duart e të rinjve tanë. Nuk është vetëm një vend për t’u takuar dhe për të festuar kreativitetin, por mbi të gjitha është një vend vetëdijësimi, kur ka nevojë, aq më shumë. Në një ditë kur dhuna me bazë gjinore është kaq e dukshme, çfarë thotë kjo për shoqërinë tonë, e cila me çdo ditë që kalon ende nuk shërohet plotësisht dhe vazhdon ta ketë këtë plagë të hapur, të pasqyruar edhe në artin e nxënësve?
Është një vijë e kuqe, një vijë e kuqe që brezi i ri po e vizaton qartë, kundër dhunës dhe padrejtësisë. Çdo pikturë që pamë sot përcjell një mesazh të fuqishëm. Disa prej tyre tregojnë histori dhimbjeje, histori rezistence, por mbi të gjitha secila prej tyre bart një histori shprese”.
Tutje, presidentja tha se kur të rinjtë e ngrisin zërin, shoqëria ecën përpara.
Kur të rinjtë ngrisin zërin, shoqëria gjithmonë ecën përpara. Ky është rrëfimi i Republikës sonë, Kosovës. Puna jonë nuk duhet të ndalet kurrë derisa të ndërtojmë një kulturë ku çdo vajzë dhe çdo djalë rriten të sigurt, të barabartë dhe të mbrojtur.
Brezi juaj është brezi i parë në historinë e Kosovës që po rritet në paqe, larg luftës, por beteja jonë e përditshme tani zhvillohet në një front tjetër — mes nesh dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe kjo plagë, kjo betejë, nuk shërohet me heshtje. Ajo mund të zhduket vetëm me veprim, solidaritet dhe me guximin për të thënë “mjaft”.
Prandaj ajo që po bëni ju, të rinj të jashtëzakonshëm, është thelbësore. Ju po na kujtoni se arti mund të jetë më i fuqishëm se frika, se kreativiteti mund të jetë një formë rezistence dhe se një pikturë mund të ndryshojë mënyrën si e shohim botën, madje edhe vetë botën.
Për guximin tuaj dhe për mesazhin që po i dërgoni gjithë Kosovës: nuk ka progres pa barazi. Nuk ka liri pa dinjitet për secilin. Nuk ka drejtësi pa llogaridhënie. Kështu që sonte, secili prej jush është fitues. Jo vetëm sepse keni krijuar një pikturë të bukur, por sepse i keni dhënë jetë kauzës sonë për drejtësi dhe barazi”, ka thënë Osmani.

Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley, theksoi rëndësinë e angazhimit të rinisë dhe rolin e artit në fuqizimin e mesazheve kundër dhunës.
“Dhe më e rëndësishmja, artistët e mrekullueshëm të rinj që i kemi sonte me ne. Mendoj se na tërheqin vëmendjen drejt nevojës për empati, për shpresë, për ndryshim.
Sonte, kjo ekspozitë është pjesë e një përpjekjeje globale, 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një fushatë që na kujton detyrimin tonë kolektiv për të vepruar dhe për të ngritur zërin kundër dhunës dhe padrejtësisë.
Kur unë, dhe jam i sigurt që edhe ju, shikoj këto piktura, shoh shumë më tepër. Një shoqëri e drejtë, e barabartë dhe gjithëpërfshirëse fillon me ju, të rinjtë, të cilët guxoni ta imagjinoni atë.
Dhe ajo që shpresojmë është që, përtej kësaj ekspozite, e cila nisi si një shkëndijë ideje, si disa mendime shumë kreative, të ndërtohet një rrjet partnerësh e mbështetësish që besojnë në fuqinë e rinisë për ta ndryshuar shoqërinë, për të krijuar një shoqëri më të mirë.
Dhe po, jam jashtëzakonisht krenar për secilin që u bashkua për ta bërë këtë të mundur. Kjo na tregon vlerën e punës në ekip: promovimi i barazisë nuk është mision për një person — është për të gjithë, dhe për ne është bashkimi i ekipit tonë të OKB-së.
Dua gjithashtu të falënderoj partnerët tanë, sepse asgjë prej kësaj nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen tuaj. Ne i jemi mirënjohës Zyrës së Presidentit për përkrahjen e kësaj kauze, ministrive për zgjatjen e kësaj nisme, komunave për angazhimin e fortë dhe partnerëve tanë — Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadave të Francës, Suedisë, Austrisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë — për t’u bashkuar me ne, për të forcuar këtë nismë dhe për të shërbyer si anëtarë të jurisë. Mbështetja dhe angazhimi juaj kanë qenë të paçmuara”, theksoi O’Malley.
