Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbi 1600 të zhdukurit me dhunë në luftë janë thirrja për drejtësi.

Në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, që përkon me datën e Masakrës së Mejës, Osmani ka thënë se dita është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.

“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dimë për fatin e tyre. Kjo ditë na bën ta kthejmë kokën pas jo vetëm për t`i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë fuqishëm se për ta nuk është vetëm një ditë si kjo, por çdo ditë. Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka theksuar Osmani, sipas një komunikate nga Presidenca.

“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit. Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka thënë Osmani në përkujtimin e Masakrës së Mejës.

Para 23-vjetësh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Në një operacion të planifikuar, u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy në drejtim të Mejës. Grumbullimi i meshkujve në grupe filloi në mëngjes, në një bilanc të tmerrshëm që goditi 15 fshatra të rrethit të Gjakovës. U ekzekutuan 376 persona, në një prej masakrave më të mëdha në Kosovë. Të vrarë në këtë masakër mbetën djemtë e burrat në grupe nga mosha 15-60 vjeç. Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Të ngjashme