Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, duke thënë se draftstatuti i Asociacionit, i prezantuar nga Bashkimi Evropian, duhet të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Qëndrim të njëjtë ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, porse shefi i ekzekutivit i është referuar si vetëmenaxhim e jo si Asociacion.
Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Osmani, sipas njoftimit të Presidencës, theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Ajo ka thënë se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti në takimin me liderët evropianë në Bruksel e ka pranuar planin e ri “modern” të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit.