Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë në të cilën po mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Kosovë, me rastin e ditës ndërkombëtare të këtyre personave.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka ngritur çështje problematike dhe diskriminuese me të cilat përballet ky komunitet i qytetarëve në Kosovë. Ajo ka thënë se institucionet kanë bërë tepër pak për t’ia siguruar këtij komuniteti një jetë të dinjitetshme.
“Kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’ia garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se vetëm 10% të fëmijëve me nevoja të veçanta shkojnë në shkolla publike në Kosovë.
“Kjo është e pafalshme. Është e pafalshme që përafërsisht vetëm 10% të fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë. Ndërkaq pothuajse 90% e tyre kanë mbetur jashtë shkollave”, tha Osmani.
Ajo e ngriti edhe çështjen e mospasjes së statistikave dhe të dhënave të sakta për këtë komunitet që vazhdon të diskriminohet nga institucionet e vendit.