Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar vizitë bilaterale në Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi.
Auditori i Përgjithshëm Osmani gjatë kësaj vizite ka zhvilluar takim me Milan Daboviq, President i Senatit dhe Nikola N. Kovačeviq, Branislav Raduloviq dhe Zoran Jeliq anëtarë të Senatit të këtij institucioni.
Në këtë takim Daboviq e ka njoftuar Osmanin për kompetencat e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, dokumentet strategjike dhe bashkëpunimin që ky institucion ka me Parlamentin dhe Qeverinë e Malit të Zi.
Osmani, ka shprehur vlerësimin për punën dhe arritjet e këtij institucioni dhe ka konfirmuar edhe një herë gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi ndërmjet të dyja institucioneve të thellohet tutje siç ishte biseduar gjatë vizitës së Daboviq në qershor të vitit të kaluar në Prishtinë.
Krerët e të dyja institucioneve kanë arritur në pajtim të plotë për fushat, oraret dhe çështjet tjera të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar takime me kryetarin e komisionit parlamentar për ekonomi, financa dhe buxhet të Malit të Zi, Vujica Lazoviq, dhe anëtarë tjerë, si dhe drejtoren e përgjithshme të Drejtorisë për Harmonizimin Qendror të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Financave, Ana Krsmanoviq.
Bashkë me Auditorin e Përgjithshëm në këtë vizitë ishin edhe Imri Semetishti, Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Mirlinda Ahmeti, Drejtore për Auditimet e Performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit.