Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar repartin e Neonatologjisë të Klinikës së Gjinekologjisë. Nga aty Osmani deklaroi se do të punojë për të bërë të pamundurën që shëndetësia të bëhet prioritet, raporton Ekonomia Online.
Mes tjerash, ajo theksoi se nëse nuk ka shëndetësi të mirëfilltë nuk mund të ketë as shtet të duhur.
“Falënderoj të gjithë doktorët e infermierët që bëjnë të pamundurën për fëmijët. Kam ardhur në vizitën e parë për një simbolik që të filloj aty ku fillon jeta. Për të treguar se prioritetet dhe realizimi i tyre i takon qeverisë por ne si kuvend do të bëjmë të pamundurën që shëndetësia duhet të jetë prioritet”, tha ajo.
Osmani tha se jeta e foshnjave duhet të jetë ndër prioritetet e institucioneve shtetërore.
“Në qofë se nuk kemi politika shëndetësore të mirëfillta atëherë nuk mund të kemi shtet të bëhet. Andaj ky do të bëhet pasi ne vendosim si prioritet jetën e foshnjave. Neonatologjia është vendi ku i kam lindur dy vajzat, pasi të fillojë ndërtimi i ri do të ketë kushte më të mira”, tha ajo.
Kryeparlamentarja Osmani tha se do të angazhohen për përmirësimin e kushteve në këtë repart.
“Kushtet me kalimin e viteve po bëhen më të mira. Po përballohen mungesat. Sot prapë mund të shihen mungesa. Por stafi mjekësor është i padiskutueshëm. Ne duhet të punojmë që këto kushte të përmirësohen”, tha ajo.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, theksoi se është gjë e mirë kur sytë e institucioneve janë të kthyera nga shëndetësia.
“Për herë të parë vizitoi klinikën e neonatologjisë klinikë më rëndësi të madhe. Vizita institucionale na bën të ndihemi mirë sepse besojmë në shëndetësi më të mirë. Kur janë sytë të institucionet e kthyer nga shëndetësia. Të mos ketë hapësirë për trajtim jashtë vendit, kushtet do të përmirësohen”, tha ai.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, falënderoi kryetaren Osmani për përkrahjen.
“Ishte kënaqësi që sot të kemi në vizitë kryetaren e Kuvendit. Kryetarja duhet të përkrah politikat shëndetësore ka ardhur aty ku fillon jeta”, u shpreh ai.