Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të Ditës së “Zojës së Madhe”, ka qëndruar në Viti, ku është pritur nga kryetari, Sokol Haliti, raporton Ekonomia Online.
E para e shtetit ka thënë se ky qytet është shembull i rënies së rasteve të dhunës në familje, si shkak i ndërmarrjes së masave për luftimin e kësaj dukurie.
“U takuam me kryetarin, me bashkëpunëtorët e tij dhe përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në këtë pjesë të Kosovës, për të diskutuar për projektet që ata i kanë shtyrë përpara, për sukseset e komunës por natyrisht edhe për sfidat me re cilat ballafaqohen. Është shumë inkurajuese të shohim se si Vitia është një prej komunave me shembullin më të mirë se si luftohen dukuritë devijonte, kriminale. Si shembull Vitia në krahasim me vitin e kaluar ka rënie 100 për qind të dhunës mbi baza gjinore. Për shkak të ndërmarrjes së masave në kontekst të luftimit të kësaj dukurie të shëmtuar e cila po e njollos shoqërinë tonë. Kjo ishte një prej çështjeve të diskutuara. Por është shndërruar edhe në shembull të bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtar sa i përket nivelit komunal. Është një komunë me mbi 30 memorandume bashkëpunimi”, ka thënë Osmani.
E kryetari Sokol Haliti, ka thënë se për nder të Ditës së “Zojës së Madhe”, presin mijëra vizitorë. Haliti ka thënë se në takim me presidenten Osmani kanë diskutuar për arritjet dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo komunë.
“Natyrisht Vitia sot me kënaqësi e ka pritur vizitën e presidentes së vendit. Unë kam arritur që sa do pak ta njoftoj për rrjedhat dhe zhvillimin e komunës sonë, problematikat, sfidat që i kemi, që janë komunale dhe shtetërore. Se disa aspekte e kalojnë kufirin administrativ të komunës dhe kompetencat e saj. Por edhe për pjesë të tjera për pritje të mërgatës, për shkak se Vitia ka një fluks të madh të mërgimtarëve. Do ta vizitojmë Letnicën e kemi ditën e ‘Zojës së Madhe’ atje, ku do të jenë 5-6 mijë qytetarë ku do të jenë nga gjithë Evropa”, u shpreh Haliti.