Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kontesti mes Kosovës e Malit të Zi në lidhje me vijën kufitare, nuk është më çështje e politikanëve, por e ekspertëve.
Në fjalimin e saj në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”, që ka nisur të hënën në Mal të Zi, Osmani tha se politikanët kanë thënë fjalën e tyre, duke iu referuar kështu votimeve të marrëveshjes së demarkacionit në kuvendet respektive.
“Politikanët nuk do të flasin më, ekspertët do të krijojnë një komision të përbashkët për të vendosur kufirin. Tashmë u takon ekspertëve që të vazhdojnë punën, jo politikanëve që e përfunduan punën duke ratifikuar dokumentet”, tha Osmani, përcjell portali malazias “CDM”
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së fundi ka thënë se për Malin e Zi ka përfunduar demarkacioni me Kosovën dhe se nuk sheh mundësi për rishikimin e tij.
Në fakt, kjo çështje ka shkaktuar përplasje të mëdha në Kuvendin e Kosovës në kohën kur ishte ratifikuar. Sipas partive të atëhershme opozitare, Kosova ia ka falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë tokë.
Çështja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit ishte lidhur edhe me liberalizim të vizave, por marrëveshja u votua e liberalizimi nuk ka ndodhur ende.
Për të ulur tensionet e atëhershme, ishte rënë dakord mes dy qeverive që të krijohen komisione për të rishikuar vijën kufitare “nëse ka gabime”.
Në samitin e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i SHBA-së, po marrin pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach e ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Po ashtu, pjesëmarrës janë liderë rajonalë, si kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj.