Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk ka interesim që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet. Sipas saj, qëllim i presidentit serb është destabilizimi i rajonit, raporton Ekonomia Online.
Në një adresim për media, presidentja Osmani tha se janë të interesuar që serbët të kthehen në institucione, ndërsa Kosovën e cilëson multietnike.
“Vuçiqi duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se Kosova është vend sovran dhe i pavarur me institucionet legjitime demokratike të cilat marrin vendime për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe çdo cep të territorit të Kosovës. Kështu që kërkesat e një presidenti të një shteti tjetër të cilat nuk bëhen në mirëbesim dhe nuk e kanë asnjëherë në prioritet interesin e qytetarëve por vetëm interesat destabilizuese të Serbisë, nuk kanë asnjë rëndësi për Kosovën. Jam e bindur që presidenti serb nuk është i interesuar që të realizohen ato që ai i paraqiti si kërkesa sepse ai nuk është i interesuar në rikthimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Jam e bindur që kur Vuçiqi flet për rikthimin e serbëve në polici në gjyqësi, ai në fakt po i prezanton këto vetëm si fjalë edhe vetëm si retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjanë në të vërtetë që janë përpjekjet e tij, të qeverisë së tij, ushtrisë së tij në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare të cilat kanë për qëllim vetëm dhunën. Nuk e besoj që Vuçiqi është i interesuar që serbët të kthehen në institucione”, u shpreh Osmani.
Sipas Osmanit, presidenti serb ka dëshirë që ta destabilizojë rajonin, ndërsa thekson se asnjë fjalë e tij nuk merret seriozisht.
“Kjo nuk do të thotë se ne si institucionet tona mos të punojnë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb në mënyrë që në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës gjë e cila i takon me Kushtetutë. Çdo e drejtë që i njihet serbëve dhe të gjitha pakicat të tjera në vendin tonë duhet të zbatohet si e tillë jo se thotë Vuçiqi por është e drejtë kushtetuese. Ai dëshiron që para Perëndimit të duket kinse po kontribuon për diçka pozitive por në fakt ai punon vetëm për destabilizim dhe kthimin e vendit tonë në vitet e 90-ta. Nuk duhet asnjë fjalë e tij të merret seriozisht por ne duhet të punojmë maksimalisht për vendin tonë njëkohësisht që të punojmë me ndërkombëtarët tanë për hapat para dhe jo mbrapa. Qëllimi i tij ka qenë sa tu vënë hi syve përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve të tjerë por në fakt Vuçiqi kur e thotë këtë nuk e mendon dhe as nuk e dëshiron”, deklaroi Osmani.