Osmanollaj e PDK-së: Ne s’i mbushim të rinjtë me urrejtje, s’i mësojmë ta gjuajnë Parlamentin

Prishtinë | 06 Dhj 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Syna Osmanollaj, anëtare e Kryesisë së Rinisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar të rinjtë e partive të tjera politike se jo të gjithë janë solidarizuar me krerët e UÇK-s që padrejtësisht sot po mbahen në Hagë.

Në një intervistë me “Fol Drejt”, Osmanollaj ka thënë se arrestimi i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, ka ndikuar në disponimin brenda Rinisë Demokratike, por sipas saj aktivitetet dhe aderimet nuk po ndalen.

“Është situatë e rëndë kuptohet. Mirëpo ne nuk i ndalim qëllimet tona dhe punën tonë. Ne mburremi që i përkasim një partie politike ky figura kyç është një burrështetas, siç është Kadri Veseli”, u shpreh ajo.

“Ne si Rini Demokratike nuk jemi ndaluar asnjëherë me aktivitetet tona. Pandemia e cila e ka kapluar pothuajse të gjithë njerëzimin ka bërë që edhe ne si Rini Demokratike t’i ndalim pak aktivitetet tona, mirëpo asnjëherë nuk e kemi ndalur komunikimin me strukturat tona. Takimet virtuale kanë qenë pjesë e përditshme e punës tonë”.

Sipas saj, Rinia Demokratike aktualisht është njëra ndër organizatat politike më të fuqishme në vend. “Të rinjtë e të rejat e Kosovës tani më veç e kanë kuptuar që adresa e vetme për të mirën e vendit tonë është PDK. Dhe interesimi sa vjen e rritet çdo ditë për anëtarësime të reja”.

E pyetur se çka e dallon Rininë Demokratike nga organizatat rinore të partive të tjera, Osmanollaj ka veçuar frymëzimin e tyre nga UÇK-ja.

“Ne jemi rritur e jemi frymëzuar nga UÇK-ja që është themeli i shtetit të Kosovës. Po nga ajo UÇK është formuar PDK-ja. Ne si rini e PDK-s asnjëherë nuk jemi këshilluar nga asnjë figurë e PDK-së që t’i fyejmë të tjerët, t’i shajmë të tjerët, si të gjuhet Qeveria, Parlamenti i Kosovës me gurë. Ne jemi këshilluar si të duhet vendi, si të punohet në të mirën e vendit. Ne jemi munduar gjithmonë që të rinjtë e vendit tonë mos të mbushen me mllef e urrejtje”.

Sipas saj, edhe me rastin e arrestimit të krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale është vërejtur se nuk ka pasur solidarizim nga të rinjtë e të gjitha partive.

“Ne si rini e PDK-së jemi solidarizuar me të gjithë krerët e UÇK-së që padrejtësisht sot po mbahen në Hagë. Nuk i kemi ndarë dhe as nuk i kemi mohuar kontributin asnjë ushtari të UÇK-së, sepse çlirimtarët janë një. Edhe pse të rinjtë e partive të tjera kanë ditur të bëjnë dallimin në këtë pikë që është më e ndjeshme se gjithçka tjetër”, ka theksuar anëtarja e Kryesisë së Rinisë së PDK-së.

Të ngjashme