Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se dy përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Migjen Shala, në një takim sot me të kanë kërkuar nga ai që të kthejë në pikën zero rastin me listat e veteranëve.
Thaçi ka shkruar se dy përfaqësuesit e shohin si zgjidhje të vetme përfshirjen e Thaçit në rastin e fryrjes së listave të veteranëve të UÇK-së.
“Sot prita përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Migjen Shalën. Përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së shprehën shqetësimet e tyre lidhur me listat e veteranëve të UÇK-së dhe kërkuan që të ushtroj autoritetin tim, që i tërë procesi të kthehet në pikën zero, duke e konsideruar këtë si të vetmen mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta”, ka shkruar Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka insistuar se numri i veteranëve të luftës është shumë më i madh sesa që pohon Thaçi.