OVL e UÇK-së kërkon zbardhjen e fatit të personave të zhdukur: Serbia mban arkivat dhe përgjigjet

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 20:38 | Nga Ekonomia Online

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, ka kërkuar zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, OVL e UÇK-së ka thënë se qëndron pranë familjeve të të zhdukurve, duke theksuar se pritja e tyre për të vërtetën ka zgjatur tepër.

“Fati i të zhdukurve nuk duhet mbajtur kurrë peng i heshtjes, i llogaritjeve politike apo i shpërfilljes institucionale. Serbia mban arkivat dhe përgjigjet. Ajo duhet t’i hapë ato dhe institucionet ndërkombëtare duhet ta detyrojnë ta bëjë këtë”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së ka kërkuar të vërtetën, llogaridhënien dhe drejtësinë, duke shtuar se familjet e personave të zhdukur nuk do të mbeten kurrë vetëm.

Të ngjashme