Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas njoftimit se Ligji për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës pritet të procedohet në Qeveri dhe më pas në Kuvend, duke e cilësuar këtë zhvillim si rezultat të angazhimit të tyre të vazhdueshëm.
“Asgjë nga këto nuk ndodhi rastësisht. Prej muajsh, kemi ngulmuar në këtë kërkesë përmes shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe grupeve parlamentare”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata thekson se përveç kërkesave institucionale, ka pasur edhe mobilizim në terren dhe prezencë të vazhdueshme në media.
“Mesazhi ynë ka qenë i qartë: neglizhenca institucionale për këtë çështje është e papranueshme dhe vonesat e mëtejshme do të provokonin pashmangshmërisht një reagim më të ashpër”, vijon komunikata.
Megjithatë, OVL-UÇK vlerëson se procedimi i ligjit është vetëm një hap fillestar dhe kërkon që përmbajtja e tij të jetë në përputhje të plotë me kërkesat e tyre.
“Procesi duhet të ofrojë përmbajtje, jo simbolikë… teksti duhet të pasqyrojë plotësisht kërkesat tona dhe të garantojë njohje të dinjitetshme për çdo kategori pjesëmarrëse”, thuhet më tej.
Organizata paralajmëron se çdo devijim nga këto parime nuk do të tolerohet.
“Çdo përpjekje për t’i zbehur këto parime do të ishte e papranueshme, e padenjë për sakrificën mbi të cilën u ndërtuan liria dhe shtetësia e Kosovës”, theksohet në reagim.
Në fund, OVL-UÇK bën të ditur se do ta ndjekë nga afër të gjithë procesin deri në miratimin përfundimtar në Kuvend.
“Ajo që u fitua përmes sakrificës nuk mund të zbehet, të shtyhet apo të kthehet në material për pazare politike… ky borxh nuk vjetërohet, as vendosmëria jonë për ta mbrojtur atë, pa tërheqje dhe pa kompromis”, përfundon komunikata.