Gjykata Supreme e Kosovës e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila pati vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin “Drenica 2”, me ç’rast ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte dënuar me 7 vjet heqje lirie, Fadil Demaku, vëllai i tij Nexhat Demaku dhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj me nga 3 vjet burg, ndërsa Isni Thaçi, Zeqir dhe Jahir Demaku janë dënuar me nga 6 vjet burg, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Nga grupi i “Drenica 2” dënimi i është ulur vetëm Sylejman Selimit, nga 7 vjet burg në 6 vjet heqje lirie. Të tjerët, ish-deputeti Fadil Demaku, vëllai i tij Nexhat Demaku dhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj do t’i mbajnë nga 3 vjet burg, ndërsa Isni Thaçi dhe Zeqir e Jahir Demaku do t’i vuajnë nga 6 vjet burg.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Drenas e ka quajtur vendimin e Supremes si turpin më të madh, duke vlerësuar se janë dënime të pabazuara në fakte dhe pa prova.
“Këto vendime politike dhe dashakeqe na bëjnë qe të mos i besojmë drejtësisë, sepse çlirimtarët po dënohen pa prova, prova e vetme është se ishin luftëtarë të UÇK-së dhe mbrojtën vendin nga kriminelët serbë”, thuhet në reagimin e degës së OVL-së në Drenas, duke konstatuar se “kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk mund të jetë e vërtetë”.