Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti një konference për media gjatë të cilës prezantoi kryesinë e re. Sekretari i OVL-së, Faton Klinaku, tha se përmes mbledhjes së bordit është zgjedhur në kryesinë e re nënkryetari për çështje politike, Nasim Haradinaj, dhe nënkryetari për çështje organizative Migjen Shala.
Në fjalën e tij Kryetari i OVL-së, Hysni Bucati deklaroi se bashkëpunimi me media nuk do të mungojë asnjëherë.
“Bashkëpunimi me media të Kosovës nuk do të mungojë asnjëherë “, ka thënë Bucati, i cili ka konsideruar si të papranueshme aktvendimin që është marrë nga shkalla e Apelit. Sipas tij, kriminelët janë në Mitrovicë e jo në UÇK.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e pasur dhe do të jetë e pasur ne e kemi dëshmuar me Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj”, ka përfunduar Bucati, përcjellë zëri.info.
Ndërkohë nënkryetari Haradinaj e ka vlerësuar si të vonuar ligjin për miratimin e rezolutës së UÇK-së.
“Ne e shohim si lajm të mire këta edhe pse është vonuar sepse dje kërkuam nga ministri Abrashi. Ku kërkesë e jona ishte që ligji dhe aktet të zbatohen. Sepse një marrëveshje vetëm si rezolutë për neve është si gati hiç mos me u ba, neve na vjen mire që atyre ju ka rënë mend që ta propozojnë ata jo për 6 muaj po shpresojmë se më herët do të hy në fuqi”, ka deklaruar ai. Derisa ka thënë se degët e OVL-së do të shtrihen edhe në Preshevë, Bujnovc, Medvegjë e Diasporë.
Kurse gjatë takimit OVL i ka bërë thirrje veteranëve të luftës që të mos ju përgjigjen Gjykatës Speciale.
“Ne ju bëjmë thirrje veteranëve të luftës të mos ju përgjigjen gjykatave, sepse ato janë gjykata politike për neve kanë akuzuar dhe dënuar njerëz të pafajshëm”, ka thënë Klinaku.
Ndërkaq, sa i përket pastrimit të listave nënkryetari organizativ, Migjen Shala ka thënë se nuk është përgjegjësi e OVL-së që të pastrojë listat e veteranëve.
“Sa i përket listave organizata e veteranëve ka qenë në cilësi të vëzhguesit, përgjegjësi për këtë e ka Qeveria dhe komisioni qeveritar dhe hierarkia komanduese, zinxhiri komandues ne për momentin nuk kem listë të saktë të veteranëve”, ka thënë Shala.