Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), përmes një statusi në Facebook ka dënuar ashpër fushatën e vazhdueshme të institucioneve serbe dhe qarqeve të lidhura me to, për të kriminalizuar luftëtarët e UÇK-së përmes thirrjeve publike dhe akuzave të sajuara politikisht.
OVL-UÇK u shpreh se shënjestrimi i sërishëm i pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121, si dhe të njësive të tjera të UÇK-së, është përndjekje politike e motivuar nga urrejtja ndaj UÇK-së.
Është politika e vjetër serbe e veshur me petk juridik: të barazojë agresorin me viktimën, të njollosë luftën çlirimtare dhe të frikësojë ata që mbajtën peshën e lirisë së Kosovës.
Asgjë më shumë.
Serbia nuk ka asnjë autoritet moral t’i mbajë leksione askujt për krime lufte, ndërsa i shmanget përgjegjësisë për atë që bënë në të vërtetë forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake. Listat e hartuara në Beograd nuk mund të rishkruajnë historinë, nuk mund të fshijnë varret dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli të detyruar të mbrojë ekzistencën e vet, thuhet në statusin e OVL UÇK.
OVL-UÇK u bën thirrje të gjithë ish-luftëtarëve të UÇK-së që, të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë. Thirrjet e vazhdueshme për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dëshmojnë se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtën qasje politike ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ajo hodhi themelet e shtetësisë dhe sovranitetit tonë. Çdo përpjekje për ta kriminalizuar do të hasë në rezistencë dhe kjo rezistencë nuk do të lëkundet.