OVL UÇK dënon ekspozitën në shesh, organizojnë protestë të hënën para Kuvendit

Prishtinë | 29 Mar 2026 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Organizata e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në konferencë për media kanë dënuar ekspozitën mbi masakrat e luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK thotë se është një ekspozitë përplot shpifje dhe e financuar nga buxheti I shtetit.

“Sot nuk jemi mbledhur këtu për ndonjë çështje të zakonshme. Jemi këtu sepse në mes të Prishtinës është përdhosur e vërteta e luftës sonë dhe janë relativizuar krimet serbe me ekspozita të financuara nga buxheti i shtetit, nga paratë tona. Një ekspozitë me plot shpifje dhe pretendime tendencioze në sheshet e Prishtinës, këto ditë ka tjetërsuar të vërtetën e shumë viktimave shqiptare që regjimi serb me brutalitetin e tij ka ushtruar ndaj popullsisë sonë. Evidencat aty nuk janë gabime, por janë fyerje. Dhe kjo fyerje bëhet edhe më e rëndë kur paguhet me paratë e qytetarëve tanë. Me taksat tona po financohen projekte që relativizojnë krimet e serbëve dhe tjetërsojnë sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë. Kjo është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë. Qytetarë të dashur, kur të vërtetat shtrembërohen, kur krimet zbuten dhe kur historia vihet në dyshim, atëherë nuk kemi të bëjmë me mendime ndryshe. Kemi të bëjmë me një sulm ndaj dinjitetit tonë kombëtar. Askush, as brenda Kosovës dhe as atje në Hagë, nuk ka të drejtë ta rishkruajë historinë e luftës sonë. Askush nuk ka të drejtë ta zbehë sakrificën e popullit tonë dhe t’u hapë rrugë narrativave serbe që për vite me radhë kanë mohuar krimet mbi ne. Nuk do të heshtim. Si organizata të dala nga lufta e UÇK-së, kemi për detyrë ta mbrojmë të vërtetën. Jo me fjalë, por të bashkuar qysh kemi qenë edhe në luftë.”, tha Syla para mediave.

Ai tha se është e papranueshme relativizimi i krimeve serbe dhe se për këtë arsye do të mbajnë protestë para Kuvendit.

“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe, nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër, e hënë, ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit. Kuvendi i ka dy-tri hyrje, ju e dini, bëhet fjalë për hyrjen kryesore këtu ku edhe parkohen makinat e deputetëve edhe atyre që funksionojnë, operojnë e veprojnë në Kuvend. Përmes kësaj konference, i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë, të na bashkohen nesër në orën 13:00. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, kjo është mbrojtje e historisë sonë. Ju presim nesër në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës. Hajdeni ta ngrisim zërin së bashku në mbrojtje të vlerave të luftës dhe ta nderojmë kujtimin për martirët tanë. Lavdi dëshmorëve dhe nder i përjetshëm për të gjithë ata që ranë për liri”, tha Syla.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati tha se kjo ekspozitë ishte fyerje për këtë organizatë dhe jo vetëm.

“Ne shoqatat e dalura nga lufta, siç e keni parë dje edhe reagimin kundër kësaj ekspozite që ka ndodhë, që ka qenë në sheshin e Prishtinës. Dua ta falenderoj pa hezitim, Përparim Ramën që ka marrë aksion të shpejtë për t’i larguar, që për ne kanë qenë një fyerje, jo vetëm për neve, por edhe si shoqëri dhe si komb”, tha Gucati.

Të ngjashme