Ish-sulmuesi i Anglisë, Michael Owen, ka thënë se kishte urryer të luante futboll nga fundi i karrierës, pasi lëndimet e lanë atë të ngurtësuar.
Owen fitoi “Topin e artë” në vitin 2001 derisa ishte me Liverpoolin dhe ai shënoi 222 gola në 17 vite karrierë me klube, që përfundoi në vitin 2013.
Mirëpo ai thotë se lëndimet e shtynë të ndryshonte lojën e tij, një proces që nisi qëkur këputi tejzën e gjurit në moshën 19-vjeçare, duke mbetur pesë muaj jashtë fushe, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
“Me të bërë një herë ndryshimin në lojën time, u humba vërtet”, ka treguar Owen tash 38-vjeçar. “Unë isha i shpejtë, vrapoja nëpër hapësira dhe vrapoja e futesha në duele. Ai isha unë, por në gjashtë vitet e fundit u ktheva në gjënë e vetme që mundja. Unë isha i ngurtësuar më të vrapoja. Thjesht druhesha se do të këpusja një muskul. Gjëja më e keqe është se instinkti ynë të thotë të bësh atë që ke bërë gjithë jetën, por fillon t’i thuash vetes: ‘Jo, mos e bë’”.
Owen u largua nga Liverpooli për t’iu bashkuar Real Madridit në vitin 2004 dhe u pajtua të kthehet në Anfield një vit më vonë, mirëpo Newcastle erdhi me ofertë në moment të fundit dhe e mposhti Liverpoolin. Te Newcastle ai qëndroi për katër vjet dhe kaloi më pas te Manchester United dhe në fund te Stoke City.
Owen ka shënuar 40 gola në 89 ndeshje për Anglinë dhe ishte edhe kapiten i përfaqësueses.
“Për gjashtë apo shtatë vjet e kam urryer futbollin. Mezi po prisja të pensionohesha. Nuk isha vetja. Unë mendërisht mund t’i bëja gjërat, por fizikisht jo”, ka thënë Owen.