Vetëm pas miratimit të Ligjit për Komplekset Memoriale mund të bëhen ndërhyrje në renovimin e Kullës së Jasharajve në Prekaz, raporton Ekonomia Online.
Idriz Blakaj, Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2017, në komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se mos miratimi i Ligjit u pamundëson ndërhyrjen në Kullën e Jasharajve ose në komplekset tjera.
“Kur ka kaluar Prekazi në agjenci nuk ka pas kompetenca më ministria, por telashe kemi pas me projekte të tjera me ministrinë. Problemi kryesor i Agjencisë është stafi, esge pse me ligj parashihet ti ketë 52 punëtorë, por i kemi vetëm 12, 9 jemi këtu dhe 3 në Prekaz të cilët nuk na ndihmojnë prej atje në punën tonë.
“Vitin e kaluar i kemi pas 20 projekte, rasti i Prekazit ka mbet keq. Njerëzve ju ka ra mend mas 18 viteve që kullat janë keq edhe atyre që kanë fol në parlament. Nuk është aprovuar në lexim të dytë Projektligji sepse ai ka kaluar këtu në Kuvend në lexim të parë, por ra Qeveria. Dhe tashmë në Qeveri ende nuk ka kaluar, dhe ne nuk mund të bëjmë tenderime pa qenë ligji”.
Blakaj, është shprehur i hapur për nisje të hetimeve nga Prokuroria e Shtetit për kompleksin Memorial në Meje. Kjo pasi kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë kërkesë për hetime kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
“Problemi tjetër që ka kërkuar edhe kryeministri, është për kompleksin në Meje. Projekti është në vazhdim e sipër, nuk është kryer ende ka ende punë, jam i kënaqur të bëhen hetime edhe për kompleksin në Meje edhe në komplekse të tjera dhe të shihen ngecjet”.
Kryetari i komisionit Daut Haradinaj, tha se gjendja e komplekseve dhe kullave në Kosovë është e papranueshme sepse çdo ditë e më shumë po rrezikohen dhe sipas tij, agjencia në krye me drejtor Idriz Blakaj nuk ka bërë asgjë për gjendjen në terren.
Me deklaratat e Haradinajt nuk u pajtua Blakaj duke i ndërhyrë në fjalë, ai tha se “nuk je këtu në kanagjegj” respekto fjalën e kryetarit.
“Asnjë dyshim nuk e kam për keqpërdorim as të drejtorit, as të askujt”, shtoi Haradinaj.
Besa Gaxherri, nga LDK-ja, shprehi shqetësimin e saj për lapidarët e dëshmorëve që sipas saj po ndahet vazhdimisht buxhet por që janë në gjendje të mjerueshme.
“Ne po bëjmë shumë shpenzime për rregullimin e lapidarëve, por prapë se prapë janë keq, në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Gaxherri.
Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, shprehi shqetësimin e tij për planifikimin e udhëtimeve zyrtare dhe shpenzimeve për udhëtime zyrtare.
“Nëse ti i ke pas 52 persona nëse si ke organizuar për të punuar kush është fajtor”, u shpreh Hoti.
Blakaj, tha shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit kanë qenë të planifikuara, raporton EO.
“Po lakmon me pyet vet edhe me u përgjigj, shpenzimet për udhëtime zyrtare janë bërë planifikimet, veç kompleksi memorial me u bë konservimi ish dashtë me udhëtuar jashtë vendit se nuk ka kompani vendore që merret me këtë”.
Komisioni ka miratuar raportin e punës për vitin 2017 të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Në fund Haradinaj iu drejtua Blakajt duke i thënë se në mandatin e ri të zgjidhet një kryetar i cili i kryen punët më lehtë.
Blakaj u kundërpërgjigj duke thënë se mandatin tjetër të vije një drejtor që nuk merren me të, por me punën e Agjencisë.