Pasditja pa vonesa në Merdarë, ndryshe gjatë ditës nga protesta e transportuesve

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Ani pse ishte paralajmëruar një protestë nga ora 12:00 e ditës së sotme nga shoqatat e transportuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Qendra për Menaxhim Kufitar kishte bërë të ditur se mund të krijohen vonesa dhe vështirësi në qarkullimin kufitar me Kosovën, në pikën kufitare në Merdarë, katër orë pas nisjes së protestës, situata paraqitet e qetë ndryshe që gjatë ditës u raportua për vështirësi, raporton Ekonomia Online.

Siç shihet edhe në pamjet e EO, në orën 16:00 gjendja ishte e qetë dhe pa vonesa.

Në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, operatorët e transportit të mallrave kanë nisur një bllokadë dyditore, e cila mund të zgjasë edhe deri në një javë, me qëllim bllokimin e transportit të mallrave që kanë destinacion zonën Shengen. Arsyeja e kësaj proteste, sipas tyre, janë rregullat e reja të hyrje-daljes, të cilat kufizojnë kohën gjatë së cilës ata mund të kryejnë aktivitetin e tyre në zonën Shengen.

Shoqata e Kamionistëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar lidhur me protestën, duke bërë të ditur se në mesditë rreth 370 kamionë do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe tranziti nëpër rajon. Përjashtim bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion. Autobusët dhe mjetet personale nuk do të preken.

Bllokada, e cila është paralajmëruar të zgjasë deri në shtatë ditë, do të ndërpritet nëse vendet e BE-së dërgojnë sinjale për një zgjidhje.

“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytë dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Transportuesit kanë paralajmëruar se, nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish dhe bashkë me to edhe çmimet e produkteve. Nga qeveritë e rajonit thuhet se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe vënien në pah të problemeve të transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.

Të ngjashme