Me 14 tetor 1906 u lind Hannah Arendt. Sot është ditëlindja e saj. Ajo u lind në Gjermani. Dy nga mendimtarët me të njohur që ushtruan ndikim në formimin e saj intelektual ishin, Martin Hiedegger dhe Karl Jaspers. Pas triumfit të Nazizmit emigroi fillimisht në Francë dhe më pastaj në SHBA.
Mendimi politik bashkëkohor nuk mund të paramendohet pa kontributin e saj teorik. Me refleksionet e saj, ajo çliroi gjykimin politik nga standard tradicionale metafizike. Insistonte se kapacitetit njerëzor për gjykim duhet të burojë nga përvojat konkrete të ekzistencës njerëzore.
Në studimin mbi totalitarizmin tregoi për pasojat e tmerrshme që mund të ushtrojnë mbi masat ideologjitë. Ngase këto të fundit i mbyllin njerëzit në një realitet të vetin, të shkëputur prej eksperiencës jetësore. Kurse pa forcën mobilizuese të këtyre strukturave mentale, nuk do të ishte i mundur ky fenomen politik i paprecedent, në historinë e regjimeve politike. Me anë të teorisë së aksionit, nuk la pa vënë në pah aftësinë e veçantë njerëzore për fillim të ri.
Po ashtu subjekt i refleksioneve të Hannah Arendt u bë fenomeni i të ligës, keqes (evil) në rendin tonë bashkëkohor. Për këtë dukuri ajo shpiku termin “banality of evil” (banaliteti i së keqes), i cili sipas saj nuk është rezultat i rënies, apo mëkatit fillestar, siç na mësonin doktrinat tradicionale religjioze dhe filozofike, por i paaftësisë për të menduar. Për shkak të këtij deficiti, njerëzit janë të gatshëm t’i nënshtrohen çdo urdhri të jashtëm politik, deri në kufijtë e çmendurisë ekstreme.
Mendimet e Hannah Arendt mbi disa nga plagomat e shoqërive bashkëkohore janë më relevante se kurrë më parë. Thënia e saj, “se në një botë ku masat kanë arritur në atë pikë, ku në të njëjtën kohë, besojnë gjithçka dhe asgjë dhe mendojnë se çdo gjë është e mundur dhe asgjë nuk është e vërtetë”, tregon më mirë, se asgjë tjetër, për rrezikun që i kanoset kësaj të fundit.
Është kjo arsyeja që ajo edhe sot kësaj vazhdon të mbetet inspirim dhe terapia më e mirë, për t’iu kundërvënë demagogëve dhe populistëve të të gjitha rrymave politike dhe ideologjike. E të mos flasim këtu për kërcënimin që e pozon fenomeni i lëvizjeve në raport me sistemin partiak të shtetit komb, të cilin e ka analizuar në librin “Origjinat e Totalitarizmit. Por për këtë temë në një shkrim të radhës.