Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që publikimi i “non-papers” për dialogun me Serbinë, e kanë vënë kryeministrin Albin Kurtin nën presion, për të zbuluar se nga kanë ardhur ato.
“I kemi parë këto dy dokumente “non-papers”, që kanë dalë lidhur me zgjidhjet e mundshme për dialogun Kosovë- Serbi dhe këto mund ta kenë çuar Kurtin drejt një lloj presioni dhe ka nevojë për pak më shumë kohë edhe për të zhvilluar konsultime të brendshme, por edhe për të parë se nga kanë rrjedhë ato dokumente dhe çka mund të prodhojnë pastaj ato”.
Paçarizi në Info Magazine në Klan Kosova, e ka komentuar edhe mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk mendoj që Borrell ka bërë mirë që e ka paralajmëruar takimin përpara se të dërgonte ftesat. Në fakt, Kurti nuk thotë që i ka ardhë një ftesë, por thotë se nuk e ka konfirmuar një takim të tillë dhe mund të mos e ketë konfirmuar takimin pikërisht për shkakun se shpallja për takimin është bërë nga një takim tjetër pa një procedurë tjetër, pa një konsultim tjetër formal me palët që do të jenë pjesë e bisedimeve”.
“Në anën tjetër ka disa lëvizje populiste edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ne ballkanasit, jemi të njohur për këto, për shfrytëzim të situatave të caktuara për konsum të brendshëm dhe unë mendoj që edhe Kurti pak a shumë e ka bërë një veprim të tillë, e ka shfrytëzuar një situatë të tillë për ta përdorur pastaj për konsum të brendshëm, në mënyrë që të thuhet pastaj në opinion se të tjerët mezi kanë pritur që të shkojnë për t’u takuar me Vuçiqin në Beograd dhe Bruksel. Ndërsa Kurti është ai që nuk u nënshtrohet presioneve dhe ka një qëndrim të caktuar”.