Pacientët e prekur nga diabeti në rrezik, në Kosovë që 6 muaj s’ka insulinë

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Po bëhen gjashtë muaj që kur qytetarët e Kosovës të cilët janë të prekur me diabet po përballen me mungesë të insulinave nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Kjo gjë ka bërë që qytetarët të mbesin me shpresën që Ministria e Shëndetësisë do ta zgjidh një problem të tillë.

Idriz Ethemi nga Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ka thënë për Telegrafin se kjo është një situatë e rëndë e sidomos për pacientët që janë të varur nga insulina.

“Po hyjmë në muajin e gjashtë me mungesë të insulinës në Qendrat e Mjekësisë Familjare, insulina të cilat vijnë nga Ministria”, tha Ethemi.

Ai më tej shtoi se përveç mungesës së insulinës, qytetarët kanë shqetësim dhe për gjendjen e tyre ekonomike, e pastaj mbetet shqetësim edhe furnizimi i barnatoreve me insulina.

“Kemi shqetësime të mëdha, sa i përket pacientit së pari për mungesën e insulinës, e dyta është gjendja ekonomike e pacientëve dhe e treta furnizimi me insulina nëpër barnatore që nuk nënkupton që e kanë prejardhjen e dyshimtë por janë me prejardhje jo të sigurte për pacientin, Insulina duhet të sjellët nëpër frigorifer e jo nëpër torba ose me posta të shpejta qysh i sjellin”, u shpreh Ethemi.

Më tej ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të Diabetit në Kosovë, bëri të ditur se çmimi i insulinave atyre që nuk janë në listë esenciale, sillet nga 3.50 deri në 7 euro nëpër barnatore.

Ethemi tutje shtoi se për problemin e mungesës së insulinave i janë drejtuar edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorëve në Prokurim mirëpo nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Sipas informatave që kemi marrë persona të caktuar që shkojnë për insulina në ministri, ua kanë jep vetëm 50 kutia insulina të cilat kanë refuzuar mi marr, sepse po ta shikojmë vetëm Peja i ka rreth 1600 pacientë që marrin insulinën e që janë të prekur me diabet, prej tyre numri i fëmijëve të prekur sillet nga 35 deri në 50, por fatmirësisht për ta Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ua siguron insulinën me ndihmën e shoqatës dhe Kuvendit Komunal në Pejë, falë fondit që ndan kryetari Muhaxheri për blerjen e insulinave për fëmijë”, u shpreh Ethemi.

Ethemi shtoi se në nivel vendi janë afro 30 mijë qytetarë që janë të prekur me diabet.

“Pasi kam qenë edhe kryetar i Shoqatës Kombëtare të Diabetit të Kosovës, numri i pacientëve të prekur me diabet në tërë Kosovën sillet nga 26 deri në 28 mijë pacientë të cilët varen nga insulina dhe lista esenciale”, u shpreh Ethemi.

Ai shtoi se kanë pritur që kjo Qeveri do ta zgjidh këtë problem.

“Ne kemi prit që kjo udhëheqje do ta kfjellë këtë punë, ky është problem i para pesë muajve nuk është problem vetëm i kësaj udhëheqësie të Ministrisë së Shëndetësisë, po kjo ministri e ka trashëguar dhe e kanë vazhduar të keqen e ministrive të kaluara. Menaxhimi është shumë i dobët. Pacientit i duhet insulina”, tha Ethemi për Telegrafin.

I pyetur se sa guxon një pacientë me diabet të qëndroj pa marrjen e insulinës, Ethemi shtoi se pacienti nuk guxon të qëndroj pa insulinë as edhe dy orë, dhe kjo varet krejt nga ajo se sa herë në ditë ai e ka të caktuar marrjen e saj.

“Nëse një pacient e ka të caktuar me marrë dy herë në dite, dhe me marrë dy orë para ushqimit ose mbas ushqimit, ai fare nuk guxon me qëndrua jashtë asaj që ja ka caktuar mjeku, faktikisht jo pesë muaj por as dy orë nuk guxon të qëndroj pa insulinë. E gjitha varet nga ajo sesi ja ka caktuar mjeku dhe sa njësi i merr”, tha Ethemi.

Ndryshe ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të kenë insulina në Qendrat e Mjekësisë Familjare, pasi siç tha ai janë në përfundim të marrëveshjes për t’i siguruar ato.

Të ngjashme