Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Agjencinë Qendrore të Tajvanit “CNA”, ka theksuar se Kosova dhe Tajvani janë dy shtete që kanë një histori të veçantë dhe shumë sfida të përbashkëta.
Sipas Pacollit ka bërë thirrje që të shihet mundësia që Tajvani të hapë përfaqësinë e tij në Kosovë dhe, Kosova, kur të lejojnë kushtet, duhet të bëjë të njëjtën gjë, siç bënë SHBA- ja, BE-ja dhe partnerët e tjerë të Kosovës.
Kjo është intervista e plotë:
CNA: Si i shihni raportet mes Kosovës dhe Tajvanit?
Pacolli: Kosova dhe Tajvani janë dy shtete që kanë një histori të veçantë dhe shumë sfida të përbashkëta. Dy vendet tona nuk kanë filluar ende një bashkëpunim të mirëfilltë që do të thellonte bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe do të rriste shkëmbimet në nivele politike dhe midis dy popujve. Pra, potenciali që ekziston nuk është shfrytëzuar sa duhet, por vlerat për demokracinë që ndajmë si dy shtete, sfidat që na bashkojnë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bëjnë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Tajvanit si diçka të natyrshme, e jo si diçka të jashtëzakonshme. Besoj se duhet bërë më shumë dhe unë jam i gatshëm të kontribuoj në thellimin e bashkëpunimit jo vetëm duke promovuar dialogun ekonomik mes vendeve tona, por edhe duke rritur shkëmbimet në të gjitha nivelet ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit.
CNA: Në cilat fusha mendoni se Kosova dhe Tajvani mund të rrisin bashkëpunimin dypalësh?
Pacolli: Unë jam një biznesmen në origjinën time të karrierës para se të zgjidhesha President, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm. Unë jam një person që besoj fuqishëm se ekonomia kapërcen çdo barrierë të mundshme, dhe shoh që Kosova dhe Tajvani kanë mundësi të bëhen partnerë të ngushtë ekonomiko-tregtarë. Kosova është në zemër të Evropës dhe të Ballkanit Perëndimor. Kosova mund të bëhet një partner i rëndësishëm ekonomik i Tajvanit, duke u mundësuar bizneseve tuaja të hapin qendra në vendin tonë dhe nga aty të kenë qasje në tregun evropian, të Ballkanit Perëndimor dhe të Turqisë. Ne kemi kushte të favorshme për këtë, por ato duhet të përdoren. Duke e arritur këtë, shoh që marrëdhëniet dhe shkëmbimet politike, ekonomike dhe kulturore bëhen diçka shumë e zakonshme, sepse arrijmë të ndërtojmë një kamare që forcon marrëdhëniet tona. Tajvani është gjithashtu një vend me potencial të madh në shumë fusha, veçanërisht në teknologji, dhe këtu shoh se ka një potencial të madh, ku të rinjtë e Kosovës mund të zbulojnë një treg të ri të punësimit dhe zhvillimit. Pra, ne duhet të bëjmë gjithçka që ekonomia dhe tregtia të zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Tajvanit dhe të ndërtojmë një partneritet mes vendeve tona që e mundëson këtë. Kjo kërkon veprim konkret, duke rritur shkëmbimet zyrtare dhe duke na mundësuar që të kemi përfaqësi, siç keni ju në të gjithë Evropën që promovon bashkëpunimin e dy vendeve. Do të doja të shihja Tajvanin duke hapur një zyrë në Kosovë, siç bëtë ju në shumicën e vendeve evropiane, Lituania qe e fundit dhe ndoshta Sllovenia. Kjo është mënyra se si marrëdhëniet u zgjeruan.
CNA: Si duhet t’i qaset Kosova marrëdhënieve me Tajvanin?
Pacolli: Në mënyrë shumë të thjeshtë, ndiqni shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Lituanisë dhe shumë vendeve të tjera partnere të Kosovës. Në shekullin e 21-të nuk duhet të ekzistojnë barriera mes vendeve. Duhet të shfrytëzohen potencialet, të zgjerohen partneritetet dhe të gjenden mënyra për t’i bërë popujt në Kosovë dhe në Tajvan të përfitojnë nga një marrëdhënie e tillë. Unë shoh se është në interesin e Kosovës si demokraci që të ketë bashkëpunim normal dhe dinamik me Tajvanin, në të njëjtën mënyrë si SHBA-ja dhe Evropa dhe, pasi dy vendet janë të prira për ekonominë e tregut të lirë, atëherë edhe Kosova e Tajvani duhet të punojnë ngushtë për të pasur shkëmbimet tregtare dhe ekonomike, siç thashë më parë. Kosova ka nevojë për investime të huaja dhe Tajvani është një vend që ofron potencial për ekonominë e Kosovës. Kjo duhet të bëhet dhe Kosova duhet të shfaqet në Tajvan si një destinacion potencial për investitorët tajvanezë.
CNA: Si i shihni marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Tajvanit?
Pacolli: Kur isha Ministër i Punëve të Jashtme, u bashkova me kolegët e mi në SHBA dhe në Evropë, duke uruar Presidenten Tsai Ing-ëen për rizgjedhjen e saj. Kjo tregoi sërish se Tajvani është një demokraci e gjallë dhe bazuar në këtë përkushtim të përbashkët ndaj demokracisë, Kosova dhe Tajvani duhet të zgjerojnë marrëdhëniet politike. Janë bërë hapa të mirë, duke krijuar shoqata të miqësisë të të dy parlamenteve, dhe Parlamenti i Kosovës dhe Tajvanit po punojnë së bashku në disa fusha të tjera, si dhe përmes NDI-së dhe programeve të tjera, të cilat bashkojnë dhe afrojnë deputetët. Një pjesë tjetër e rëndësishme është të shihet mundësia që Tajvani të hapë përfaqësinë e tij në Kosovë dhe, Kosova, kur të lejojnë kushtet, duhet të bëjë të njëjtën gjë, siç bënë SHBA- ja, BE-ja dhe partnerët e tjerë të Kosovës. Por, edhe bashkëpunimi më i ngushtë mes qyteteve, ministrive dhe dhomave të tregtisë do ta bënte marrëdhënien shumë më dinamike dhe do të sillte përfitime për vendet tona. Unë do të luaj rolin tim edhe në nxitjen e bashkëpunimit, veçanërisht në rolin tim si deputet dhe ish-president, por edhe si një person që beson në pikat e forta të ekonomisë dhe tregtisë. Mezi pres të vizitoj Tajvanin kur kushtet e lejojnë një vizitë të tillë nga situata pandemike.