Ish-Ministri i Jashtëm, Begjet Pacolli i është gëzuar deklaratave të Albin Kurtit, i cili kërkoi sot koordinimin me Hashim Thaçin në fushën e politikës së jashtme.
“Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, për koordinim të politikës së jashtme me akterët kryesorë institucional është shumë e drejtë dhe e nevojshme. Në vitet e kaluara jam përballur drejtëpërsëdrejti me fenomenin e mungesës së harmonizimit të veprimeve dhe deklaratave që e kanë dëmtuar dhe vështirësuar politikën e jashtme të Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sot, Shefi i ri i Qeverisë, Albin Kurti, për herë të parë ka kërkuar publikisht koordinim me Shefin e Shtetit në fushën e politikës së jashtme. Ka thënë se koordinimin me Hashim Thaçin po e kërkon për të mos pasur kakofoni në diplomaci.
“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, tha Kurti.
Këto komente Kurti i ka bërë pasi ka bërë homazhe te arkivoli i Nexhmije Pagarushës në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Aty, Kryeministri është pyetur se cili është komenti i tij lidhur me deklaratat e Hashim Thaçit për t’u rizgjedhur përsëri Shef i Shtetit.
Kurti ka thënë se puna e tij është që të ndihmojë koordinimin e politikës së jashtme e jo të merret se kush dëshiron të bëhet President i vendit në të ardhmen.