Pacolli del me propozim për zgjidhjen e problemit në veri

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se më tepër i beson zgjidhjes ekonomike se sa politike për veriun.

Ai ka thënë se ka vite që punon për një projekt të tillë dhe ka ardhur në përfundim se duhet biseduar me palën serbe që edhe ata nga Novi Pazari deri ne Rashkë me aq territor sa ka veriu i Kosovës të hyjnë si aksionar, dhe Kosova të hyj me veriun e Kosovës për krijimin e një zone speciale të lirë ekonomike.

Në një intervistë për Indeksonline, Pacolli thotë se kjo zonë do t’i kishte kufijtë e vet dhe do të administrohej nga një etnitet i tretë dhe aty do të krijoheshin kushte marramendëse të mira për investitorët.

Për këtë propozim thotë se ka biseduar edhe me ndërkombëtarët dhe tani, Escobar, sipas tij, po flet për zonë të lire ekonomike në takimet tij.

Kreu i AKR-së në këtë intervistë ka thënë se me shumë krenari është duke i mbështetur ekipet mbrojtëse të krerëve të UÇK-së në Hagë.

Poashtu ai ka folur edhe për presidenten Vjosa Osmani, e cila, sipas tij, i është hakmarrë për një çështje, e cila sipas Pacollit, është aq banale dhe primitive, vetëm pse nuk është bashkëmendimtar i saj.

Pacolli ka thënë se e ka ndihmuar të bëhet presidente, madje është kthyer në Prishtinë me shpenzime marramendëse vetëm për ta votuar.

Në këtë intervistë, ish presidenti i Kosovës flet edhe për propozimin franko-gjerman dhe qeverisjen e Albin Kurtit.

Si dhe rrëfen momente nga rrugëtimi dhe sfidat e tij.

Të ngjashme