Ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministër i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, fillon sot një vizitë dy-ditore në Tokio, kryeqytetin e njërit prej vendeve, që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në vitet e Pavarësisë.
I shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kryediplomati kosovar fillimisht do të takojë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko.
Më pas homologu i tij japonez, Taro Kono, do të shtrojë një darkë për nder të Pacollit.
Gjatë takimeve, që vazhdojnë dhe nesër, ministrat e qeverisë së Kosovës, Pacolli dhe Lluka do të kërkojnë mbështetjen e gjithanshme japoneze në sektorë si energjia, infrastruktura në përgjithësi, etj.
Japonia, me afro 130 milionë banorë, fuqia e tretë ekonomike e botës, është nga donatorët kryesorë të Kosovës.
Ajo e mbështet Kosovën në shumë nisma globale dhe Organizata Ndërkombëtare. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka shpallur kohët e fundit iniciativën për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.