Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje gjithë liderëve të partive politike ta nënshkruajnë një pakt 10 pikësh për luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, Veseli ka specifikuar se njëra prej pikave kryesore është që në listat e deputetëve mos të futen personat me aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.
Një pakt i tillë, përkundër partive të tjera, është i pranueshëm për Aleancën Kosova e re. Kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se do ta nënshkruajë këtë pakt.
Por ai thotë që ideja për luftimin e korrupsionit brenda partive, ka qenë ide e AKR-së shumë më herët.
“Ne do jemi pjesë e asaj por po më duket se nuk ma nevojë të potencohet diçka të cilën t’i e ke në shpirtin tënd, edhe unë e dijë që AKR-ja dhe njerëzit e AKR-së, sidomos ata që kanë qenë në Qeveri, ai është virtyt i tyre. Sinqerisht ne këtë e kemi në programin tonë është shtyllë e programit tonë të punojmë me duar të pastra gjithmonë dhe mos të abuzojmë asnjëherë me të mirën e shtetit dhe paranë e qytetarit”.
“Unë nuk e dijë sepse vetëm sa kam ardhur prej rrugës, por nëse ka ndonjë pakt ne po e nënshkruajmë atë, s’ka problem, por ky nënshkrim nuk e di çka vlen nëse njerëzit e nënshkruajnë, por nuk e zbatojnë atë”, tha Pacolli.
Pacolli ndër të tjera u shpreh se thotë se nuk ka nevojë që lufta kundër korrupsionit të nënshkruhet, por të tregohen rezultate në këtë drejtim, raporton EO.
“Unë besoj që nuk nevojitet asnjë pakt për arsye se secili njeri normal që ecë dhe vepron diku apo diçka për Kosovën, duhet ta dijë që ai duhet të punojë me duar të pastra, unë nuk e di si duhet dikush me bo një pakt të mos vjedhim, do thotë deri tash paskemi vjedhë e tash mos të vjedhim ose deri tash paskemi korruptuar e më mos të korruptojmë”.
“Normalisht unë e mbështes çdo pakt, por nuk besoj që duhet të flitet shumë për një pakt, ne duhet të veprojmë si të tillë dhe nuk kemi nevojë që para publikut të nënshkruajmë asgjë, për arsye se jemi asisoj”, u shpreh Pacolli.
Pakti i nisur nga Partia Demokratike e Kosovës, u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Partia Socialdemokrate.