Albin Kurti ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të Vetëvendosjes pasi dy deputetet e ngarkuara për mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Albulena Haxhiu e Fitore Pacolli, i kanë dorëzuar sot nënshkrimet e kërkuara Komisioni i Përgjithshëm Zgjedhor i VV-së.
Mbledhjen e nënshkrimeve dhe dorëzimin e tyre në Komisionin Zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje e ka konfirmuar deputetja Fitore Pacolli, përmes një postimi në Facebook.
Vetë Kurti aktualisht ndodhet në burg.
Pacolli ka qenë zëdhënëse dhe bashkëpunëtore e ngushtë e kryetarit të Prishtinës. Por pas publikimit të përçarjes së VV-së në dy blloqe, ajo duket se ka marrë anën e Kurtit, i cili pritet ta marrë pa konkurrencë drejtimin e partisë.
Postimi i plotë i Fitore Pacollit:
“Bashkë me deputeten Albulena Haxhiu, sot dorëzuam për verifikim pranë Komisionit të Përgjithshëm Zgjedhor (KZP) të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nënshkrimet e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë vendimmarrës, në mbështetje të zyrtarizimit të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Sipas Rregulloreve në fuqi, kandidatura për kryetar zyrtarizohet me dorëzimin e nënshkrimeve të 1/5 së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes. Në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit e kanë dhënë nënshkrimin e tyre 3/5 e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
Ne e dimë që plot anëtarë të tjerë të Këshillit të Përgjithshëm do të kishin nënshkruar në mbështetje të kësaj kandidature, por vlerësuam se tani që është përmbushur dhe tejkaluar kriteri për nënshkrime, nuk ka më nevojë të mblidhen edhe nënshkrime të tjera dhe dorëzuam sot këto që tashmë ishin grumbulluar.
Për më tepër, menduam gjithashtu të mbetet e hapur mundësia që dikush tjetër që planifikon të kandidojë duke grumbulluar nënshkrime nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të mund ta shfrytëzojë këtë alternativë.
Në fund, zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të zhvillohen sipas parimit një anëtar – një votë. Me besimin e thellë te vlerat e demokracisë tonë të brendshme, bashkë është e mundshme!” (sic), ka shkruar Pacolli.