Deputetët Fitore Pacolli dhe Fisnik Ismaili, bashkë me disa aktivistë të tjerë dhe dashamirë të çiklizmit, do të nisin të martën me biçikleta për një turne 10-ditësh nëpër 26 komuna të Kosovës, në përkrahje të kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetarë dhe atyre për kuvendet komunale.
Ky turne, i quajtur FITOUR, ka për qëllim promovimin e unitetit, lirinë e lëvizjes dhe shprehjes, shëndetin, rëndësinë e kujdesit në trafik urban dhe ndërurban, fuqinë e solidaritetit, si dhe vetëdijesimin kombëtar për ruajtjen e ambientit, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Në çdo komunë deputetët do të takohen me kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar dhe me kandidatët për kuvendet komunale, për të ngrënë 10 qebapa dhe pirë kafe, duke e përcjellur simbolikën e numrit 10 dhe duke përkrahur bizneset lokale, me theks në rëndësinë e zhvillimit ekonomik të secilës komunë brenda Kosovës.
Plani i udhëtimit nga data 10.10:
10.10 Besianë – Vushtrri
11.10 Mitrovicë – Skenderaj – Klinë
12.10 Istog – Pejë
13.10 Deçan – Junik – Gjakovë
14.10 Sharr
15.10 Prizren – Rahovec – Therandë
16.10 Malishevë – Drenas – Kastriot
17.10 Fushë Kosovë – Lipjan – Shtime – Ferizaj – Kaçanik
18.10 Viti – Dardanë
19.10 Gjilan – Prishtinë
Turneu do të zgjasë 10 ditë pandërprerë, pos në momentet kur prania e deputetëve nevojitet në Kuvend, me distancë prej rreth 650 kilometrash.
Nisja bëhet nesër në orën 10:10 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.