Behgjet Pacolli dëshiron të kthehet nga Lugano me avionin e tij, por Ministria e Shëndetësisë e paralajmëron se do ta fusin në konvikt për dy javë. Lideri i AKR’së fajëson Qeverinë se po ia pengon ardhjen në Kosovë. Ministria e Infrastrktures thotë për Gazetën Express se leja nuk i është anuluar. Pacolli vazhdoi përplasjet me Vetëvendosjen, duke e akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po e lënë që të vijë e të votojë Qeverinë e re dhe se po përdorë standarde të dyfishta. Tash ai është nisur nga Zvicra, e Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se kush përjashtohet nga rregulli i karantinimit në konvikte.
Një përplasje tjetër politike ka nisur në vend. Deputeti Behgjet Pacolli ka akuzuar sot Qeverinë se po e pengon të vijë në Kosovë, e më pas tha edhe se i është anuluar leja e ardhjes.
Në Ministrinë e Infrastrukturës e kanë konfirmuar se Pacollit nuk i është anuluar leja dhe thonë se ai e ka anuluar fluturimin, e më pas e ka riaranzhuar.
“Nuk i është anuluar leja. Dje e ka anuluar fluturimin. Sot herët në mëngjes ka bërë prapë kërkesë, iu është aprovuar”, kanë thënë nga MI
Anulimin që është bërë më 27 prill, në orën 10:35, nga pala që kishte kërkuar të flutrojë, e më pas edhe konfirmimin e sotëm të nisur nga Nexhat Bala i Departamentit të Aviaciont Civil
Ministria e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku dje kishte pohuar se i është dhënë leja dhe për Pacollin më tutje vendos Ministria e Shëndetësisë, pasi të arrijë nëKosovë.
Deputeti i AKR’së, fillimisht këmbënguli se i është anuluar leja, e më vonë tha se është njoftuar nga njerëzit e tij se megjithatë leja i është dhënë.
“Kjo është dëshmia se leja për aterim të cilën aeroplani im ka poseduar për aeroportin e Prishtinës (që ishte konformë rregullave të BE-së dhe IATA) është anuluar”, ka thënë Pacolli.
E në tekstin që ai e postoi në Facebook shkruan “Ju lutëm dijeni që për ndonjë fluturim tjetër të planifikuar në Aeroportin e Prishtinës, duhet të bëni kërkesë zyrtare prape. Për shkak të situatës, kjo kërkesë do të rishikohet nga Ministria e Infrastrukturës, por gjithashtu edhe e autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Punëve të Brendshme”.
Pacoll akuzonte Qeverinë e tanishme se duan ta pengojnë si deputet, duke aluduar se duan ta ndalin veprimtarinë e tij parlamentare, pak para se të votohet Qeveria e re.
“Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare?”, ka shkruar Pacolli në reagimin e tij të parë.
Në postimin tjetër në FB, Pacolli sqaroi se e ka marrë lejën, por foli edhe për një inskenim.
“Tani me treguan se është lëshuar një leje për aterim në Prishtinë. Nuk di çka ka pas nevojë për krejt këtë inskenim. Nuk e di pse ka pas nevojë për “kërcënime”, ka shkruar ai.
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, për ankesat dhe akuzat e Pacollit tha se janë sjellje arrogante e feudale dhe se kreu i AKR’së po kërkon të trajtohet ndryshe “prej neve”.
“Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranushme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës. Karantinimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm. Dhjetra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe?”, ka shkruar Abrashi.
Më pas, Pacolli pati edhe një përplasje në në Tëitter me Furtuna Sheremetin, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Deputeti i AKR’së i ka thënë asaj se po përdorën standarde të dyfishta për izolim, pasi ajo i tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Kjo qasje eshte kriju si rezultat i sa e sa viteve praktike qe pushteti eshte mbi ligjin. Eshte veshtire me e pranu tash qe te gjithe realisht jemi te barabarte para ligjit”, ka shkruar Sheremeti në Tëitter.
Ndërkaq, Pacolli e akuzoi këshilltaren e Kurtit se Qeveria po përdor standarde të dyfishta dhe se nuk i ka izoluar as punonjësit e UNMIK-ut, EULEX-it, e as shtetasit kosovarë të etnisë serbe.
“Stafi i Eulexit është përjashtuar nga rregullat me vendim të Ministrit Vitia. Edhe stafi i Unmikut poashtu. Qytetarët serbë të Kosovës janë përjashtuar nga ky rregull. Pyeta është pse po përdorën standarde të dyfishta dhe po bëhen pengesa për zgjedhjen e një deputet të zgjedhur? Së paku mos gënjeni z. Albin Kurti”, thuhet në komentin e Pacollit rreth postimit të këshilltares së kryeministrit.
Kreu i AKR’së masat e karantines i quajti të stilit kinez dhe tha se nuk kanë vend në Evropë. E për masat politike për ta penguar punën e Kuvendit dhe të deputetëve që sipas tij po i ndërmerrë Kurti, Pacolli tha se këtë absurd do ta sfidojë edhe juridikisht. Në përplasjen ndërmjet Pacollit e VV’së nuk mungoi as Presidenti. Nga Zyra e tij sot në mëngjes thanë se gjatë prillit në Kosovë kanë hyrë 30 mijë persona, dhe më këtë rast iu drejtua pyetja Ministrit Vitia nëse ata janë futur në karantinë.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje dhënë sot Gazetës Express ka treguar se kush përjashtohet nga rregulli i karantimit për dy javë në konviktet e Prishtinës, ku po mbahen nga dy javë ata që hyjnë në Kosovë prej që janë vendosur masat për mbrojtje nga pandemia.
“Sipas rekomandimeve të IKSHPK, çdo qytetar që bën pjesë në kategoritë më poshtë nuk futet në karantinë, por shkon në vetizolim apo karantinë shtëpiake , sipas protokollit të caktuar për këto raste. Ata që janë në karantinë mund të mos e dinë këtë fakt, ndonjëri, ndërsa televizionit tuaj ia kemi shpjeguar këtë përmes një interviste ditë më parë.
Nuk mund të ju flasim për emra të përveçëm , sepse ata janë me dhjetëra e qindra që nuk i janë nënshtruar karantinës, për shkak se kanë bërë pjesë në kategoritë si më poshtë:
1. Personat me probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjet kronike;
2. Personat e moshës mbi 70 vjeç (viti 1950 )
3. Fëmijët nën 18 vjeç që janë pa shoqërim të prindërve;
4. Profesionistët që do të jenë në shërbim të parandalimit dhe luftimit të
COVID-19 (mjek, polic, dhe pjesëtar të FSK-së).
5. Personave që hyjnë në RKS dhe do të jenë përcjellës për varrime të familjarëve të tyre.
Personat që rekomandohen për izolim për të parandaluar COVID-19 duhet t’i spjegohet protokoli i izolimit dhe kushtet e rrethanat e qëndrimit në karantinë shtëpijake 14 ditë;”, sqaron MSh’ja.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme thotë se deputetit të AKR’së nuk i është anuluar leja.